Nga epërsia te zhgënjimi, për Elbasanin përsëritet i njëjti skenar që ndëshkon ekipin
Elbasani humbi një mundësi të artë për t’iu afruar edhe më shumë kreut të renditjes, teksa u ndal në një barazim 1-1 ndaj Flamurtarit në “Elbasan Arena”, në një ndeshje ku pritshmëritë ishin të larta për marrjen e tri pikëve.

Vetëm pak ditë më parë, verdheblutë kishin kaluar me shumë vështirësi në Kupë pikërisht ndaj vlonjatëve, pasi edhe aty koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, ndërsa vetëm në shtesë arritën të sigurojnë kualifikimin. Duke marrë parasysh pretendimet e Elbasanit në këtë edicion dhe pozicionin që mban në renditje, ky rezultat shihet si një hap fals i rëndësishëm dhe dy pikë të lëna në rrugë. Aq më tepër kur merret në konsideratë mënyra se si u zhvillua takimi, me verdheblutë që kaluan të parët në avantazh dhe kishin ndeshjen nën kontroll për një pjesë të mirë të kohës.
Megjithatë, pamundësia për ta menaxhuar rezultatin deri në fund, i kushtoi sërish skuadrës, duke konfirmuar një problem që po shfaqet në mënyrë të përsëritur. Në njëfarë mënyre, duket sikur verdheblutë e humbasin ritmin dhe përqendrimin sapo kalojnë në epërsi, duke i lejuar kundërshtarët të rikthehen në lojë. Përballjet e fundit me Flamurtarin e kanë nxjerrë më qartë këtë tendencë, e cila nuk mund të konsiderohet më si rastësi.
PËRGJUMJA – Nuk është hera e parë që Elbasani shënon i pari dhe në fund nuk arrin ta ruajë avantazhin. Ndaj Flamurtarit, kjo ishte hera e katërt në kampionat që verdheblutë ndëshkohen në të njëjtën mënyrë. Nëse në llogari përfshihen edhe ndeshjet e Kupës, sërish ndaj vlonjatëve, shkohet në pesë takime këtë sezon ku Elbasani kalon në avantazh, por nuk arrin të shkojë deri te fitorja. Gjithçka nisi që në javën e dytë të kampionatit ndaj Egnatias, ku Elbasani shënoi i pari, por u ndal në barazim, pavarësisht se pati edhe shansin ideal për të marrë tri pikët. Penalltia e humbur nga Musta në minutat e fundit rezultoi vendimtare dhe la shijen e një mundësie të artë të shpërdoruar.
Më pas, skenari u përsërit në ndeshjen në shtëpi ndaj Vorës. Edhe aty, verdheblutë kaluan në avantazh, por pësuan një përmbysje të papritur me dy gola, duke e mbyllur takimin pa asnjë pikë. Një humbje që la jo pak pikëpyetje mbi stabilitetin e skuadrës dhe aftësinë për të reaguar në momentet kyçe të ndeshjes. E njëjta histori u pa edhe në përballjen me Dinamon, ku blutë arritën të barazonin pas golit të Elbasanit, duke shfrytëzuar momentin e rënies së intensitetit nga ana e tyre.
Së fundmi, dy ndeshjet ndaj Flamurtarit, si në kampionat ashtu edhe në Kupë, shërbyen si një tjetër sinjal alarmi, duke nxjerrë në pah një defekt që po kthehet në shqetësim serioz për verdheblutë. Një aspekt i tillë i lojës kërkon ndërhyrje të menjëhershme, qoftë në aspektin taktik, qoftë në atë psikologjik, pasi humbja e avantazhit në mënyrë të përsëritur mund të ndikojë drejtpërdrejt në objektivat afatgjata të skuadrës. Elbasani do të duhet të gjejë sa më shpejt zgjidhje, nëse dëshiron të mbetet një pretendente e besueshme në garën për pozicionet e larta të renditjes.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













