Nga dopietat te Kombëtarja, rrugëtimi i Lajthisë drejt ëndrrës: Jam tifoz i Milanit, Kakaja ka qenë i pari që kam ndjekur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2026 | 10:50

Nga dopietat te Kombëtarja, rrugëtimi i Lajthisë drejt ëndrrës: Jam tifoz i Milanit, Kakaja ka qenë i pari që kam ndjekur

Në një sezon ku po konfirmohet si një nga lojtarët më në formë të Elbasanit, Xhonatan Lajthia vazhdon të tërheqë vëmendjen jo vetëm me golat, por edhe me ambicien e tij.lajthiaDopieta në fitoren 3-1 ndaj Vllaznisë e çon në 11 realizime këtë edicion mes kampionatit dhe kupës, teksa forcon bindjen se ai është një nga pikat kyçe të skuadrës. Në intervistën e tij pas ndeshjes, sulmuesi flet për përkushtimin që qëndron pas kësaj forme, për faktin që nuk ndjek një idhull të vetëm, edhe pse është rritur duke admiruar Rikardo Kaka dhe mbështet Milanin.

Pa harruar edhe ëndrrën e madhe për të marrë një ditë ftesën nga Kombëtarja, një objektiv që duket gjithnjë e më pranë me paraqitjet e tij aktuale. Sipas tij, mbrëmja më e bukur nuk ka ardhur ende për Elbasanin, me synimin që vendin e parë të mos e lëshojnë deri në fund.

Një mbrëmje e bukur për ju dhe për Elbasanin, si ndiheni?

Ishte një mbrëmje shumë e bukur. Dua të falënderoj ekipin dhe drejtuesit për këtë ndeshje që bëmë, si dhe Zotin për golat dhe fitoren.

Cili është sekreti që shënoni shpesh dopieta?

Nuk ka ndonjë sekret. Thjesht mundohem të jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje. Kur punon fort, gjithmonë shpërblehesh. Kjo është pjesë e karakterit tim.

A është kjo mbrëmja më e bukur që keni përjetuar në Elbasan?

Po, është një nga më të bukurat. Por besoj se më e bukura ende nuk ka ardhur.

Besoni se do të shënoni gola të tjerë vendimtarë?

Shpresoj. Unë dhe shokët e ekipit premtojmë të japim maksimumin dhe të qëndrojmë gjithmonë të fokusuar, duke besuar se më e mira është përpara.

Dy pikë para Vllaznisë, sa e vështirë do të jetë ta mbani këtë ritëm deri në fund?

Kjo është bukuria e futbollit. Presioni nxjerr më të mirën dhe aty tregohen vlerat dhe karakteri. Nuk e shohim si problem këtë pjesë.

Cili është idhulli juaj në futboll?

Nuk kam një idhull të mirëfilltë. Futbollisti i parë që kam ndjekur ka qenë Rikardo Kaka dhe jam tifoz i Milanit, por nuk kam një idhull të vetëm.

A e prisni një ftesë nga Kombëtarja me këto paraqitje?

Shpresoj që po. Është një ëndërr që dua ta bëj realitet. Asgjë nuk është e pamundur dhe me paraqitje të mira, pse jo, një ditë mund të vijë edhe ajo ftesë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL