Nga Cjapi te Dobi, momentet pikante në Elbasani-Teuta
Përtej lojës në fushë, sfida mes Elbasanit dhe Teutës solli disa episode interesante, tensione dhe momente emocionale që mund t’i kenë shpëtuar syrit të pranishmëve. “Panorama Sport” sjell për lexuesit detajet më pikante të takimit të zhvilluar në “Elbasan Arena”, ku vëmendjen më të madhe e morën pretendimet ndaj arbitrimit.
PRETENDIMET – Rikthehet të gjykojë sërish Elbasanin Kreshnik Cjapi, arbitri që i ka lënë një “plagë” verdhebluve me golin e anuluar nga penalltia në Rrogozhinë. Rastësisht ose jo, të dy barazimet e vetme të Elbasanit kanë ardhur nën gjykimin e tij. Edhe pse në këtë ndeshje nuk pati episode flagrante, vendasit u ankuan për pjesën më të madhe të vendimeve të kryesorit, kryesisht në dyluftime dhe faulle. Në fund, trajneri Gvozdenoviç së bashku me disa drejtues të Elbasanit iu afruan arbitrit për t’i kërkuar llogari, teksa mbetet për t’u parë nëse klubi do të ndërmarrë një notë proteste.
TIFOZËT – Moti i keq ndaloi disi tifozët të mbushnin stadiumin, por gjithsesi rreth 3 mijë të pranishëm sfiduan shiun. Atmosfera më elektrizuese u krijua nga grupi ultras i Elbasanit, të vendosur në tribunën e re që mban emrin “Spartak Mazhi”, në nder të një tifozi të ndarë nga jeta vite më parë. Ata dhuruan spektakël me fishekzjarrë dhe tymuese, ndërsa nuk mungoi as tifozeria durrsake që mbështeti skuadrën e saj.
URIMI – Ndër pankartat e shumta, ra në sy edhe një urim special: “Egert Kuçi, edhe 100. Elbasani kampion”, dedikim për ish-futbollistin e verdhebluve që festonte ditëlindjen piëkrisht ditën e shtunë.
GVOZDENOVIÇ – Me kalimin e minutave, temperaturat ranë ndjeshëm në Elbasan, duke detyruar shumicën e të pranishmëve të vishnin xhaketa e pallto. Në kontrast me këtë skenë, trajneri Gvozdenoviç vendosi të hiqte bluzën me mëngë të gjata që mbante, dukshëm i kapur nga “ethet” e lojës.
CJAPI – Një tjetër moment interesant ndodhi kur arbitri Kreshnik Cjapi u gjend pranë një bidoni uji të hedhur në fushë: pa hezitim, e mori dhe e largoi qetësisht, duke marrë edhe rolin e punëtorit të fushës. Si për ironi, ai bidon ishte hedhur për një vendim të tij në dëm të skuadrës së Elbasanit pak çaste më parë. DOBI – Në fund të ndeshjes, tensionet kaluan edhe te bankinat. Një pjesë e tifozëve të Elbasanit u përplasën verbalisht me trajnerin e Teutës, Enkelejd Dobi, i cili sipas tyre bëri disa gjeste me mimikë gjatë hyrjes në dhomat e zhveshjes, duke sjellë irritim dhe reagime nga tribuna.
PANORAMASPORT.AL













