Në Laç nuk pati “krisma” pas bojkotit, hyrja në stadium sërish falas
Klubi i Laçit ka vendosur sërish që hyrja në tribunën ballore të jetë falas. Kurbinasit do të presin sot Dinamon në orën 15:30, në sfidën që vendos shumë për mbijetesën dhe “Final Four”.

Njoftimi i Laçit: “THIRRJE PËR TIFOZËT- “Luajmë ndeshjen e parafundit të sezonit 2024/ 25 Abissnet Superiore dhe të fundit në shtëpi. Hyrja në tribunën përballë do të jetë falas për të gjithë tifozët. Ekipi ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen tuaj. Mos mungoni, ne besojmë dhe shpresojmë se mund t’ja dalim!” – thuhet në njoftim.
Situata- Skuadra e Morieros do të përballet me Dinamon pas një situate kritike, ku lojtarët në fillimin e javës nuk u stërvitën. Po ashtu kishte përplasje mes stafit dhe drejtuesve. Kështu të paktën u lajmërua nga vetë klubi i Laçit i cili në mënyrë të çuditshme bën një komunikatë të tillë.
Por, edhe pse kanë kaluar disa ditë, asnjë ndëshkim nuk është parë në horizont. Mesa duket, “krisma nuk ka pasur” dhe përveç taktikës së fushës, në Laç po mendojnë edhe për atë jashtë saj.
PANORAMASPORT.AL













