Në këtë fushë ka shkëlqyer/ Dinamo ‘saldohet’ në Elbasan, ja sa ndeshje do të luajnë deri më 22 shkurt
Kalendari nuk ven dos për objektivat e sezonit të një skuadre, por një dorë mund ta japë, sado e lehtë të jetë. Dinamo e ka këtë avantazh për 5 ndeshjet në vazhdim dhe nëse do të arrijë ta shfrytëzojë, mund të marrë një “bonus” të mirë në renditjen e Superiores, apo edhe të hedhë një hap drejt gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. Katër nga pesë ndeshjet që do të zhvillojë deri më 22 shkurt, skuadra kryeqytetase do t’i luajë në stadiumin “Elbasan Arena”.

Blutë do të “saldohen” në këtë impiant për t’u shkëputur vetëm një moment për transfertën me Teutën në javën e 24-t të kampionatit. Ata do të ndeshen dy herë me Skënderbeun në Elbasan dhe pastaj do të presin edhe Vllazninë dhe Laçin. “Elbasan Arena” mund të quhet edhe fusha e fatit për Dinamon, që në këtë impiant ka marrë shumicën e pikëve.
Kryeqytetasit janë mundur aty vetëm në javën e parë të kampionatit nga Egnatia dhe në derbin e fazës së dytë nga Partizani. I vetmi barazim për 18 herë kampionët e vendit në Elbasan është ai me Bylisin, pastaj ata i kanë fituar të gjitha ndeshjet e tjera. Blutë janë favoritë në letër për t’i fituar të katërta ndeshjet e radhës që do të luajnë në stadiumin e Elbasanit.
DOPIO SKËNDERBEU – E para nga këto katër sfida luhet nesër me Skënderbeun. Me këtë kundërshtar Dinamo do të ritakohet po në këtë stadium 5 ditë më vonë, më 6 shkurt, por këtë herë për çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.
Janë 180 minuta, ku skuadra e Dajës pritet të shtojë 3 pikë në tabelën e Superiores dhe po ashtu t’i hapë rrugën kalimit në gjysmëfinale të Kupës. Në kampin blu vlerësimi është maksimal, edhe pse bëhet fjalë për një kundërshtar që mbyll tabelën e klasifikimit. Këto dy ndeshje mund të kenë një ndikim të fortë edhe në planin psikologjik për vazhdimin e sezonit.

VLLAZNIA-LAÇI – Pas sfidës së dyfishtë me korçarët Dinamo shkon në Durrës për t’u ndeshur me Teutën dhe pastaj luan sërish dy ndeshje radhazi në “Elbasan Arena”. Edhe në këtë rast mundësitë janë të mëdha që blutë të marrin pikët maksimale dhe të përfitojnë ndoshta nga përplasjet e rivalëve mes tyre. Gjatë fazës së parë Dinamo i ka fituar të tria ndeshjet me kundërshtarët e radhës në Elbasan: Skënderbeun, Vllazninë dhe Laçin. Të tria me të njëjtin rezultat, 2-1.
Në atë kohë trajneri Ilir Daja sapo kishte marrë drejtimin e skuadrës dhe loja e saj nuk ishte në nivelin që është sot. Tashmë Dinamo ka krijuar një fizionomi të qartë lojë, ka më shumë stabilitet dhe në opinionin sportiv konsiderohet si një nga pretendentet kryesore për të fituar titullin kampion.
Megjithatë, jo pak herë topi e “thyen majën e lapsit” dhe kryeqytetasit duan të tregohen sa më profesionistë, duke i marrë ndeshjet një e nga një dhe me vlerësimin e duhur. Avantazhi i kalendarit duhet shfrytëzuar.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL













