Ndryshojnë rregullat te Egnatia, nuk ka titullarë të përjetshëm. Tetova po ndërton një skuadër të qëndrueshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2025 | 10:09

Ndryshojnë rregullat te Egnatia, nuk ka titullarë të përjetshëm. Tetova po ndërton një skuadër të qëndrueshme

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka bërë një përpjekje që të gjithë lojtarët të kenë mundësi të aktivizohen gjatë gjashtë javëve të para të kampionatit.

egnatia

Qëllimi i tij është i qartë: të ketë të gjithë futbollistët në dispozicion kur të nevojiten, duke marrë parasysh se kampionati është i gjatë dhe demtimet apo kartonët janë pjesë e pashmangshme e një sezoni të gjatë. Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, Tetova ka aktivizuar plot 20 futbollistë deri më tani. Kjo tregon një përpjekje për të shpërndarë minutazhin dhe për të mos i mbajtur disa lojtarë jashtë fushës, duke siguruar përvojë dhe ritëm loje për të gjithë skuadrën.

LOJTARËT STABËL – Nga të gjithë 20 lojtarët e aktivizuar, vetëm dy prej tyre kanë luajtur minutazhin e plotë në të gjitha ndeshjet e tyre, duke qëndruar të paprekshëm në formacionin e Tetovës. Bëhet fjalë për portierin Mario Dajsinani dhe kapitenin Albano Aleksi. Këta dy lojtarë përbëjnë thelbin e skuadrës dhe janë të domosdoshëm për strategjinë e trajnerit. Tetova ka vendosur të mos i zëvendësojë as për disa minuta, duke i dhënë mundësi të freskohen vetëm me kujdes, pasi stabiliteti që ata sjellin në fushë është i paçmuar. Në total, ata kanë nga 540 minuta secili në këmbët e tyre.

PRESIN SHANSIN – Për lojtarët e tjerë, Tetova ka qenë i kujdesshëm duke shpërndarë minutat në mënyrë të barabartë. Disa prej tyre kanë marrë minuta të limituara, por të gjitha kanë shërbyer për të ruajtur ritmin dhe formën fizike. Megjithatë, ka ende nga ata që po presin shansin, dy prej të cilëve trajneri i njeh mirë, sepse i ka pasur nga sezoni i kaluar, ndërsa dy të tjerët janë prurje të verës. Më konkretisht, dy mesfushorët e rinj, Altin Kryeziu dhe Xheferson, kanë luajtur respektivisht 71 dhe 91 minuta. Janë dy prurje të cilët nuk i kemi parë ende me kohë të plotë, me brazilianin ndërkohë që ka shënuar edhe një gol. Saka, Soumaila Bakajoko, ka luajtur vetëm 75 minuta dhe Zamig Alijev 94 minuta. Të gjithë lojtarët e tjerë kanë grumbulluar mbi 100 minuta në fushë, duke marrë kështu mundësinë për të treguar aftësitë e tyre dhe për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme.

QËLLIMI I TETOVËS – Strategjia e trajnerit Tetova tregon një qasje të balancuar: ai nuk mbështetet vetëm tek disa lojtarë titullarë, por investon tek të gjithë skuadra, duke krijuar një bazë të fortë për sezonin e gjatë që po luhet. Kjo gjithashtu i lejon lojtarët që të mbajnë ritmin e lojës dhe gatishmërinë fizike, si dhe reduktimin e riskut të dëmtimeve, duke pasur gjithmonë në dispozicion një grup lojtarësh të përgatitur për çdo nevojë taktike. Me këtë menaxhim minutash, Egnatia duket e gatshme për çdo sfidë dhe Tetova ka krijuar një skuadër të barabartë, ku secili futbollist dihet se ka një rol të rëndësishëm, duke forcuar konkurrencën dhe motivimin brenda ekipit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL