Ndeshjet me foto-finish/ Partizani shpëton 9 pikë, “demat” e lënë gjithnjë për në fund
Partizani i këtij sezoni është kthyer në një skuadër me shumë luhatje nga ndeshja në ndeshje. Skuadra e Abilaliajt gjithsesi dha shenja pozitive me Skënderbeun, duke fituar me përmbysje me shifrat 1-2, por ashtu siç i mori 3 pikët, edhe mund t’i humbte.

Të kuqtë u dhanë shumë hapësira kundërshtarëve, që shpërdoruan përballë Qirkos dhe në fund Eleke vulosi gjithçka në shtesë. Minutat shtesë kanë qenë gjithnjë vendimtare për të kuqtë në këtë sezon. Për të folur me shifra, plot 12 ndeshje janë vulosur me gola në fund. Në gjashtë raste, ndeshjet kanë shkuar në favor të të kuqve dhe po aq herë “Demat” kanë pësuar, duke humbur pikë të rëndësishme.
NË FAVOR – Në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut, Partizani tregoi se ka akoma për të dhënë dhe se i ka mbetur ende karakteri fitues. Madje, këtë, të kuqtë e kanë treguar përgjatë gjithë sezonit, duke nisur nga java e dytë po kundër korçarëve. Në fakt, ajo çka vihet re, është se ndeshjet kundër Skënderbeut janë mbyllur në fund në plot tri raste. Dy kanë përfunduar me fitoren e të kuqve dhe një në barazim me një gol në shtesë të Nikajt.
Po në minutat e fundit, të kuqtë kanë arritur të barazojnë kundër Dinamos, Tiranës dhe Vllaznisë. Në “ekstrem” është vendosur edhe çerekfinalja e Kupës kundër Laçit, me Kekon, që tregohej vendimtar. Në total, Partizani në fund ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës dhe ka fituar plot nëntë pikë në kampionat, pa të cilat do të ishte në vendin e pestë. Nga ana tjetër, kjo statistikë tregon edhe faktin që të kuqtë nuk arrijnë t’i dominojnë ndeshjet dhe vuajnë shumë për të grumbulluar pikë.
NË DISFAVOR – Përveç rasteve kur ka shënuar në fund, Partizani edhe ka pësuar, duke humbur pikë që do ta ngrinin shumë në renditje dhe nuk do të ishte sot duke diskutuar një vend në “Final4 “, por duke luftuar për dy vendet e para. Në pesë ndeshje, Partizanit i ka ikur fitorja nga duart me gola në minutat e fundit.
Rasti i parë ka qenë kundër Dinamos, me Rrapajn që shënonte në shtesë për fitoren, por po në shtesë barazonte edhe Lorenco Vila dhe sfida mbyllej 2-2. Më pas, vijnë dy barazime të tjera, kundër Laçit dhe Teutës, për të mbërritur të rezultate të njëjta me Egnatian dhe Skënderbeun. Sakaq, humbje shokuese ishte ajo kundër Bylisit, kur të kuqtë në një moment po fitonin 0- 2, por Bylisi bëri mrekullinë dhe siguroi fitoren në shtesë.
Në gjashtë ndeshje, Partizani ka humbur 11 pikë nga golat e pësuar në fund. Të kuqtë kanë treguar dobësi të theksuara në menaxhimin e ndeshjeve edhe në momentet kur e kanë nisur me gol të shënuar që në pjesën e parë. Kjo i ka kushtuar jo pak.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













