Ndeshja me Egnatian, “Demat” duan revansh me fitoren e parë
Partizani do të përballet të shtunën në orën 16:30 me Egnatian në një sfidë që merr vlerë të veçantë për objektivat e sezonit. Deri tani, bilanci i këtij kampionati ndaj rrogozhinasve nuk ka qenë në favor të të kuqve, që kanë regjistruar një barazim dhe një humbje në dy përballjet e para.

Ky fakt e shton edhe më shumë peshën e ndeshjes së radhës, pasi Partizani synon jo vetëm tri pikët për garën drejt vendit të katërt, por edhe të ndryshojë ecurinë ndaj një rivali që i ka hapur vështirësi këtë sezon. Në dy takimet e mëparshme, Egnatia ka ditur të neutralizojë pikat e forta të kryeqytetasve, duke i imponuar ritëm dhe duke shfrytëzuar momentet kyçe.
Për skuadrën e Oltijon Kërnajës, kjo përballje vjen në një moment pozitiv, me ekipin që po shfaq stabilitet në rezultate dhe besim në lojë. Forma e fundit dhe përmbysjet e realizuara në javët e fundit tregojnë një skuadër më të pjekur dhe më të vendosur për të arritur objektivat. Ndeshja e së shtunës pritet të jetë e luftuar në mesfushë, aty ku mund të vendoset edhe ekuilibri i takimit.
Partizani do të kërkojë të diktojë ritmin dhe të shmangë gabimet që i kushtuan në përballjet e mëparshme, ndërsa Egnatia do të synojë të konfirmojë superioritetin sezonal në duelet direkte. Në një fazë të kampionatit ku çdo pikë ka peshë specifike, kjo sfidë mund të rezultojë përcaktuese për vazhdimësinë e garës. Për Partizanin është një provë karakteri dhe një mundësi për të dhënë një sinjal të fortë në prag të javëve vendimtare.
PANORAMASPORT.AL













