Nderim i madh për trajnerin që dështoi në Superiore, emërohet “ambasador për sportin” në Itali

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2025 | 22:02

Nderim i madh për trajnerin që dështoi në Superiore, emërohet “ambasador për sportin” në Itali

Një trajner i cili ka drejtuar në Kategorinë Superiore, nga tani e tutje do të mbajë zyrtarisht titullin “Ambasador i sportit italian”. Vendimin e ka bërë publik Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i cili ka dekretuar 11 personalitete sportive me këtë titull.

di biaxho

Dhe mes tyre është edhe Luixhi Di Biaxho, ish-mesfushori i njohur italian i cili prej disa vitesh ka nisur karrierën e trajnerit. Di Biaxho ishte në vitin 2023 në vendin tonë, ku mori drejtimin e Dinamos pas kthimit të kësaj të fundit në elitën e futbollit shqiptar, por gjërat nuk shkuan siç shpresonte ai.

Bilanci prej 2 fitoresh, 1 barazimi dhe 6 humbjesh bënë që Di Biaxho të largohej nga drejtimi i skuadrës në fund të fazës së parë të sezonin 2023-2024. Megjithatë, atij i buzëqeshi fati pasi pak muaj më vonë iu besua drejtimi i përfaqësueses U23 të Arabisë Saudite, ku drejton edhe aktualisht.

Në listën e personave të cilëve iu dha ky titull nderi janë edhe emra të tjerë të njohur si Xhanfranko Zola, Vinçenco Montela apo edhe Kimi Antoneli, të cilët kryejnë aktivitetet e tyre sportive shpesh jashtë kufijve të Italisë.

PANORAMASPORT.AL