Mziu kërkon dhe një sezon në Pukë
Sulmuesi i Tërbunit, Sokol Mziu, i ardhur te kjo skuadër në fillim të sezonit 2013-2014, në fazën e parë nuk është aktivizuar rregullisht për shkak dëmtimi. Mirëpo, në pjesën e dytë, ai arriti të aktivizohet, duke mbajtur dhe autorësinë e katër golave. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Sokol Mziu ka konfirmuar se do të jetë pjesë e kësaj skuadre dhe sezonin e ri futbollistik. “Unë dua të jem pjesë e Tërbunit edhe për sezonin e ri futbollistik”. Ky është lojtari i dytë që u ka kërkuar drejtuesve pukjanë të vazhdojë të jetë pjesë e pukjanëve dhe për një edicion. Mziu ka pasur eksperiencë në disa skuadra të Superiores, me Kamzën kur luante në grupin e më të mirëve dhe Kukësin. Duke vijuar më tej, ai shton: “Pavarësisht se nuk arritëm objektivin në sezonin që lamë pas, shpresoj ta realizojmë atë në edicionin e ardhshëm. Them se jemi të favorizuar nga kalendari”. Ndërkohë, ekipi do të mblidhet më 2 qershor, ku dhe do të nisin përgatitjet. Pritet që së shpejti të përcaktohet edhe se cili do të jetë trajneri i ri i pukjanëve, pasi trajneri italian Xhino Gargano nuk do të jetë më në krye të pankinës së Tërbunit.
Ditmir Pema













