Mziu ka një ëndërr: Me Kukësin në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2012 | 13:49

Mziu ka një ëndërr: Me Kukësin në Superiore

Mesfushori i Kukësit, Sokol Mziu, mbetet lojtari më i preferuar në faqen e tifozëve të Kukësit në “Facebook”, pasi ka marrë më shumë vota. Futbollisti i ardhur nga Mamurrasi beson se ajo që nuk ndodhi me ish-ekipin e tij vitin e kaluar, do të ndodhë këtë vit me Kukësin, i cili sipas Mziut do të jetë pa më të voglin dyshim në Superiore. “Kemi përpara një rrugë të gjatë e të vështirë deri në Superiore, por ne po i marrim të gjitha ndeshjet një e nga një dhe me një vlerësim maksimal. Edhe me Burrelin shkojmë për një ndeshje korrekte dhe ndaj një ekipi që meriton respekt e vëmendje, pavarësisht vendit ku është sot, sepse matjanët kanë një histori të pasur me suksese në futboll”, shprehet Mziu. Në këtë sezon, mesfushori nuk ka shënuar ende në ndeshjet zyrtare, por pozicioni i tij si mesfushor i infiltruar në sulm ka dhënë rezultate mjaft të mira, duke qenë se aksionet e nisura prej tij dhe topat e dhënë i kanë mundësuar fitoren skuadrës në ndeshje vendimtare. Në sfidën e fazës së parë, Kukësi fitoi lehtësisht 4-0 ndaj Mamurrasit. Ndërkaq, skuadra vazhdon normalisht seancat stërvitore në Kamzë për të qenë gati për sfidën e së shtunës.
Jonuz Hallaçi