“Mund të ishim edhe më lart”, fantazisti Ruçi: Bylisi ishte surpriza e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2025 | 17:24

“Mund të ishim edhe më lart”, fantazisti Ruçi: Bylisi ishte surpriza e Superiores

Flamur Ruçi, që në Ballsh mbylli sezonin e tij të pestë është një nga lojtarët me më shumë vite te mallakastriotët. Beratasi 23-vjeçar, në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport”, flet për paraqitjen mbresëlënëse, që ai dhe skuadra bën në Korçë, në ndeshjen e sezonit, por edhe për edicionin në Superiore në tërësi.

flamurr-ruci

“Jam shumë i lumtur për fitoren që erdhi në saje të një paraqitjeje të mrekullueshme që ne bëmë në transfertën korçare, madje e kemi dominuar Skënderbeun në fushën e vet, ku edhe treguam se Bylisi nuk e meritonte që të binte nga elita.

Jemi një ekip me kualitete dhe djem të rinj, vendas dhe të huaj që luajnë me shumë dëshirë. E kemi treguar gjatë garës dhe e treguam edhe në ndeshjen vendimtare se kush është forca që ne kemi si skuadër. Pa frikë, e them me bindje se në Superiore, jemi skuadra që luajmë futbollin më të bukur dhe ‘fair play’, por skuadra që është kthyer si një trampolinë për të rinjtë, vendës dhe të huaj.

Jam shumë i gëzuar që mbyll mjaft mirë një sezon sepse kjo eksperiencë e imja si titullar në Superiore shpërblehet në mënyrën më të mirë, madje duke qenë titullar thuajse në të gjitha ndeshjet, por edhe duke shënuar gola të rëndësishëm që vlejnë shumë në fund, plot 4 të atillë”, tha mesfushori shtatlartë, Flamur Ruçi. Më tej, beratasi i Bylisit shton se: “Unë kam disa vite me këtë fanellë dhe në qytetin e Ballshit, që e do futbollin, jemi shumë të respektuar dhe kur hyjmë në fushë në nxehje para ndeshjes dhe dëgjonim tifozët tanë që na jepnin kurajë, shtrënguam edhe më shumë dhëmbët.

Ia dolëm të gjithë së bashku, kështu që të festojmë këtë moment e më pas të diskutojmë për Bylisin e së ardhmes. Jam i realizuar dhe falënderoj presidentin Besnik Kapllanaj dhe trajnerët që kam punuar këtë sezon, por edhe tifozët në Ballsh, që kanë qenë aleati ynë më i mirë.

Me pak kujdes mund të ishim edhe më lart, por ky Bylisi ka qenë surpriza e bukur e Superiores këtë sezon”, ka pohuar në fund mesfushori fantazist i skuadrës mallakastriotë, Flamur Ruçi, Ndërkohë, te ballshiotët vazhdojnë ende stërvitjen, sipas një programi të përgatitur nga stafi. Me këtë ritëm do të vijohet deri në ditët e fundit të këtij muaji, më pas zyrtarisht nisin pushimet.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL