MOTO GP/ Titull në shtëpinë e Rosit, Markez: Ka ende edhe shumë gara
Mark Markez është protagonisti absolut i Botërorit 2025 në Moto GP. Piloti i Dukatit po dominon në çdo aspekt ndaj rivalëve, ndërsa të dielën në Brno shënoi dopietën e tetë sezonale me sukses në Sprint dhe garë, si dhe të pestën radhazi.

“Kanibali” po tregohet i pamëshirshëm në pistë, duke i shkatërruar kundërshtarët, pa kursyer askënd, as të vëllanë, Aleks. Markez tashmë e ka çuar në 120 pikë diferencën ndaj të vëllait, që është edhe ndjekësi më i afërt, ndërkohë që shoku i skuadrës, Peko Banjaja, renditet i treti me 168 pikë diferencë. Statistika të frikshme në këtë pjesë të parë të sezonit në Moto GP nga Mark Markez, i cili ashtu sikurse e pranoi edhe vetë pas Çmimit të Madh të Çekisë: “Vetëm unë mund të humbasë titullin”, e bën triumfin e spanjollit këtë sezon një formalitet.
Ndërkohë, ajo që mbetet për t’u parë është se ku do ta ngrejë kurorën e nëntë të karrierës dhe për këtë skenarët janë tepër interesantë. Një arritje që do ta barazonte me “armikun” e tij të vjetër, Valentino Rosin. Për t’i hedhur edhe më shumë benzinë një rivaliteti që nuk u shua kurrë, një gazetar italian e pyeti Mark Markezin nëse do të donte ta fitonte titullin në Misano, pranë shtëpisë së “Doktorit”. Mark qeshi dhe madje bëri gjestin tipik italian duke bashkuar gishtat vertikalisht dhe duke i lëvizur ato.
“Le ta shohim, nuk mendoj se është e mundur. Kanë mbetur ende shumë gara, duke përfshirë garat Sprint dhe garat e së dielës. Kam përvojën nga viti 2014, kur u përpoqa të fitoja më shumë gara dhe të fitoja sa më shpejt të ishte e mundur, por pastaj u rrëzova në Misano dhe Aragon. Kështu që ajo që duhet të bëj është të jem i kujdesshëm me të gjithë elementët. Është e vërtetë që kam një avantazh të madh, por do janë ende shumë gara, kështu që do të duhet të qëndroj i përqendruar, pa u stresuar”, u përgjigj piloti spanjoll ndaj pyetjes me “spec”.
Më tej, Markez shtoi: “Kam pasur tashmë mjaftueshëm presion gjatë kësaj pjese të parë të sezonit për ta menaxhuar atë. Tani, kam këtë avantazh dhe kjo do të thotë më pak presion, por duhet të menaxhoj të gjitha situatat. Patjetër që do të përpiqem të marr 37 pikë çdo fundjavë, por nuk do të jetë gjithmonë e mundur”, deklaroi Markez.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













