MOTO GP/ Ezpeleta rrëfen aksidentet e garës së fundit: Ishim me fat, më parë ishin fatale
Karmelo Ezpeleta mori pjesë si i ftuar në podkastin “Curva 15”, të cirkuitit Rikardo Tormo në Valencia. Aty, drejtuesi i MotoGP-së analizoi disa nga temat më aktuale të kampionatit dhe menaxhimit të Botërorit. Ai foli për aksidentet në Montmelo, ku protagonistë kryesorë ishin Aleks Markez dhe Johan Zarko, rikthimin e Mark Markezit, karrierën e Valentino Rosit dhe shumë tema të tjera.

AKSIDENTET NË MONTMELO
“Ka qenë një situatë e komplikuar. Mendoj se kemi pasur fat. Kur pashë pamjet e para të Aleksit, u shqetësova shumë. Këtë herë patëm fat, ndonjëherë nuk e ke atë fat. E takova Aleksin sapo e çuan në klinikën e pistës dhe ai ishte mirë, i vetëdijshëm. Më pas ndodhi e njëjta gjë me Johan Zarkon. Ishte thjesht fat i keq. Nëse do të rrëzohej pa u përplasur me motorin e Banjajan, nuk do të kishte pësuar asgjë. Ka pasur raste të tjera kur kemi përjetuar aksidente fatale për shkak të fatit të keq”.
PËRJETIMI I AKSIDENTEVE
“Keq. Janë momentet më të vështira të këtij profesioni, që për mua mbetet i mrekullueshëm. Por janë çaste të rënda, sepse kalojmë kaq shumë javë së bashku dhe krijojmë lidhje shumë të afërta me njerëzit. Në ato momente ndjen se po lëndohet një mik i yti”.
MUNDËSIA E NJË STARTI TË TRETË
“Është e vështirë, sepse instinkti yt dhe i pilotëve është të ndalosh garën, por nuk duhet të ndodhë kështu. Do ta diskutojmë në Muxhelo. Nëse pista dhe pilotët janë në gjendje të mirë, gara duhet të vazhdojë. Një pjesë shumë e rëndësishme e suksesit të MotoGP janë spektatorët dhe nuk mund t’u thuash atyre papritur se gjithçka përfundoi. Gjithashtu, ndërprerja ose rifillimi i garës mund të favorizojë disa pilotë dhe të dëmtojë të tjerët. Për sa kohë rregullorja nuk ndryshon, duhet të veprojmë sipas asaj që lejojnë rregullat. Nuk ekziston asnjë rregull që ndalon tre nisje. Një vit në Muxhelo, për shkak të shiut, bëmë pesë nisje. Mbaj mend se atëherë gara përkoi me turneun ‘Roland Garros’ dhe disa televizione transmetuan MotoGP-në, ndërsa të tjera tenisin. Këto situata duhet të jenë të përcaktuara qartë. Jam i gatshëm të diskutoj çdo gjë, por jo të marrim vendime në momentin e emocioneve. E kuptoj shqetësimin e pilotëve, por kemi parë edhe aksidente shumë më të rënda dhe gara ka vazhduar. Është një çështje ku duhen marrë parasysh të gjithë faktorët”.
FIGURA E MARK MARKEZIT
“Mark Markez është një person i jashtëzakonshëm. Me gjithë dëmtimet që ka kaluar dhe sukseset që ka arritur, ai vazhdon të garojë. Çdo person tjetër, me paratë që ai ka fituar, duke jetuar në Spanjë dhe duke paguar taksat aty, ndoshta do të ishte tërhequr. Por fakti që vazhdoi të garojë dhe u shpall kampion vitin e kaluar tregon se mendja e tij është mbi gjithçka tjetër. Mark ka një mentalitet të privilegjuar. E do jashtëzakonisht shumë këtë sport dhe besoj se do të vazhdojë të jetë protagonist. Nuk e përjashtoj aspak për këtë sezon. Nëse rikthehet pa probleme me nervin, ai do të jetë sërish në krye”.
GJENDJA E MARK MARKEZIT
“Çdokush tjetër, me dëmtimet që kishte në fillim të sezonit dhe problemet me nervin, do të kishte thënë: ‘Po ndalem, heq pllakën metalike dhe rikthehem më vonë’. Por Markez ka një filozofi krejt tjetër”.
NIVELI AKTUAL I MOTOGP
“Markez është fenomenal, por ai ka bërë që edhe shumë pilotë të tjerë të rriten. Sot ka shumë pilotë të shkëlqyer. Nuk ka pasur kurrë një nivel kaq të lartë të motoçiklizmit si tani”.
LAMTUMIRA E VALENTINO ROSIT
“Valentino pati një karrierë shumë të gjatë. Erdhi momenti të tërhiqej dhe ai u tërhoq. Ende më mungon, sepse kam një marrëdhënie shumë të mirë me të. Nuk mund të krijosh artificialisht figura apo histori. Motoçiklizmi është ai që është dhe personalitetet janë ato që janë. Duhet të punojmë me atë që kemi, dhe kemi shumë”.
PANORAMASPORT.AL













