Moriero di si “fiket” Partizani i Veselinoviç, kryeqytetasit godasin vetëm 1 herë portën për 180 minuta në Laç (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2025 | 19:56

Moriero di si “fiket” Partizani i Veselinoviç, kryeqytetasit godasin vetëm 1 herë portën për 180 minuta në Laç (VIDEO)

Partizani i këtij muaji ka zhgënjyer në fushën e lojës. “Demat” kanë barazuar dy ndeshje pa gola ndaj Laçit në transfertë, më 1 dhe 5 shkurt. Çfarë bie më tepër në sy është se janë 180 minuta në total ku të kuqtë e kanë goditur portën kundërshtare vetëm një herë.

Screenshot 2025-02-05 195529

Bëhet fjalë për takimin e javës së 23-të në Superiores dhe atë për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në kampionat, vetëm Redon Ismaili testoi për një moment portierin Molla. Luhej minuta e 50-të, kur gardiani i Laçit u tregua i vëmendshëm duke i mohuar golin miqve.

Sot, Partizani i Veselinoviç nuk goditi asnjëherë portën e Laçit. Rastet me pikatore nuk patën nevojë për ndërhyrjen e poriterit kundërshtar. Kurbinasit po luanin nga minuta e 18-të me një lojtar më pak, për shkak të daljes me karton të kuq të Prodanit, por kjo nuk i rrezikoi të pësonin gol.

Sigurisht meritat kryesore i takojnë Françesko Morieros dhe të besuarve të tij. Sfida e sotme ishte mjaft e vështirë për ta, pasi për më tepër se 70 minuta duhet të luanin dhe me një lojtar më pak. Fakt që po ashtu nuk i pengoi të tentonin dhe fitoren e krejt takimit.

Goditja e vetme në portë për Partizanin në dy sfidat me Laçin. Portieri Molla ndali Ismailin. (VIDEO)

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL