Mllefi ndaj gjykimit bashkon vlonjatët, Telushi përball tifozët: Me qetësi, ne jemi Flamurtari
Humbja në shtëpi ndaj Partizanit nuk ishte thjesht një tjetër rezultat negativ për Flamurtarin. Ajo thelloi më tej krizën që po përjeton klubi vlonjat, i cili pas shtatë javëve kampionat mbetet me vetëm dy pikë në tabelën e klasifikimit.

Por, ndryshe nga çfarë pritej, fundi i ndeshjes solli një skenë tjetër, një moment përpalljeje dhe sinqeriteti mes futbollistëve dhe tifozëve të zjarrtë në tribunën “ultras”. Pavarësisht zhgënjimit dhe tensionit të grumbulluar në tribunë, një grup futbollistësh të Flamurtarit, të udhëhequr nga kapiteni Bruno Telushi, iu drejtuan tifozëve për të komunikuar me ta. Mes lojtarëve që morën pjesë në këtë akt reflektimi ishin edhe portieri Aleksovski, si dhe Oshafi, Ramirez, Diavara, Ramani, Marku, Murataj dhe Bolzan. Nën mbikëqyrjen e fortë të forcave të sigurisë, që ishin vendosur si “gardh” mes tribunës dhe fushës, Telushi u afrua te grupimi “ultras” dhe nisi një bisedë të hapur.
“Qëndroni të qetë. Ne jemi Flamurtari. Skuadra ka luajtur me shpirt. Ju kërkojmë ndjesë që nuk fituam, por jo çdo gjë varet nga ne. Ju e patë vetë si rrodhën gjërat”, mësohet të ketë thënë kapiteni, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të ruajtur marrëdhënien e veçantë që kjo skuadër ka me tifozët e saj. Përkrahësit e Flamurtarit, megjithatë, kanë reaguar ashpër ndaj arbitrimit, duke e cilësuar atë tendencioz dhe të dëmshëm për ekipin e tyre. Protestat e tyre ishin të zëshme dhe të mbështetura nga një ndjenjë e fortë padrejtësie, sidomos pas një episodi të diskutueshëm gjatë ndeshjes.
KONTESTIME NDAJ GJYQTARIT Kapiteni Bruno Telushi kërkon shpjegime për golin e anuluar. Përplasjet e tensionuara nuk përfunduan vetëm në fushë apo në tribunë. Pas përfundimit të takimit, kapiteni Telushi, bashkë me disa shokë skuadre, u drejtuan te gjyqtari kryesor, Erjon Bylykbashi, për të kërkuar shpjegime rreth golit të anuluar, që sipas tyre ishte i rregullt. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të sigurisë parandaloi që situata të përshkallëzohej më tej.
MASAT E SIGURISË Gjyqtarët e ndeshjes Flamurtari–Partizani u larguan të shoqëruar, ndërsa policia ishte në gatishmëri. Tensioni i krijuar bëri që në fund të ndeshjes gjyqtarët të shoqëroheshin menjëherë në ambientet e brendshme të stadiumit nga punonjësit e sigurisë. Prania e tyre u forcua edhe më shumë kur në fushë zbriti zëvendësdrejtori i Policisë së Qarkut, Shpëtim Hasanaliaj, i cili mban përgjegjësi për rendin publik. Tribunat nuk mbetën të heshtura. Këngët dhe thirrjet fyese ndaj gjyqtarëve, si dhe protestat e forta, dëgjoheshin në çdo cep të stadiumit.
FLAMURTARI NË KRIZË – PA FITORE, POR ME ZEMËR! Rezultatet nuk po vijnë, loja shpeshherë ngjan e copëzuar, por mbetet një element që Flamurtari nuk po e humbet, përkushtimin në fushë dhe lidhjen emocionale me tifozët. Gjesti i futbollistëve për t’u përballur me publikun dhe për të kërkuar ndjesë, në një moment presioni, është një sinjal pozitiv për karakterin e grupit. Megjithatë, me vetëm dy pikë në shtatë ndeshje, koha nuk premton durim të pafund. Skuadra ka nevojë për rezultate dhe zgjidhje të menjëhershme, përndryshe një sezon që nisi me ambicie mund të përfundojë në një tjetër zhgënjim historik për klubin vlonjat. Tifozët e Flamurtarit kanë shpërthyer në rrjetet sociale pas humbjes zhgënjyese të skuadrës, këtë herë ndaj një rivali direkt, ku gjithçka u vulos nga një autogol i Lorenc Trashit.
Kjo disfatë e radhës ka sjellë një valë të madhe pakënaqësie, me mbështetës që ndihen të tradhtuar nga paraqitjet e dobëta të ekipit, pavarësisht investimeve të mëdha gjatë merkatos. Reagimet kanë qenë të ashpra, duke kërkuar jo vetëm ndëshkime për lojtarët që, sipas tyre, nuk po japin maksimumin në fushë, por edhe një ndërhyrje të menjëhershme nga drejtuesit e klubit. Sipas tyre, largimi i trajnerit Garsia nuk mjafton për të kthyer situatën në rrugën e duhur. Tifozët theksojnë se Flamurtari nuk mund të vazhdojë të humbasë në këtë mënyrë dhe kërkojnë që përgjegjësia të ndahet drejt e të merren masa konkrete për të rikthyer imazhin dhe rezultatet pozitive të klubit legjendar vlonjat.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













