Miqësorja e fundit, Vllaznia mbyll në shtëpi përgatitjet për supersfidën me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2025 | 21:10

Miqësorja e fundit, Vllaznia mbyll në shtëpi përgatitjet për supersfidën me Egnatian

Vllaznia do i mbyllë përgatitjet verore ditën e shtunë në orën 19:00, kur shkodranët do presin në “Loro Boriçi” Besën e Kavajës. Me duelin ndaj verdhezinjëve që do jetë i treti brenda një jave për të besuarit e Martinit.

Vllaznia-Egnatia-2048x1365

Kuqeblutë të shtunën e kaluar zhvilluan një miqësore ndaj Laçit të humbur në shifrat 2-1 e po ashtu të martën një tjetër duel miqësor ndaj Kukësit, kësaj radhe i fituar nga 9 herë kampionët e vendit me rezultatin 4-3. Tashmë miqësorja e radhës ndaj kavajasve do i “vërë kapakun” një vere të ngjeshur për Vllazninë.

Futbollistët e skuadrës që kanë shijuar pak ditë pushimi gjatë këtyre muajve, duke qenë të angazhuar me fazën përgatitore apo edhe duelet e Europës në “Conference League”. Në duelin e radhës sërish Martini pritet të zbresë në fushë shumicën dërrmuese të formacionit titullar të kuqebluve. Me interes pritet edhe debutimi i Sherif Kallakut, që nuk ishte i gatshëm në takimin e fundit miqësor ndaj Kukësit.

Kështu do jepet “dora e fundit” përgatitjeve para fillimit të sezonit të ri. Vllaznia do debutojë para tifozëve të saj në javën e parë të edicionit 2025-26, teksa në Shkodër do vijnë kampionët e Egnatias, një kundërshtar dhe rival i fortë i kuqebluve në sezonet e fundit. “Hesapet” janë ende të hapura me rrogozhinasit, ndaj të cilëve kuqeblutë do kërkojnë të tregojnë vlerat që në raundin e parë të kampionatit në fundjavën e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL