Miqësore për Dinamon, Daja ka “armë” shtesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2025 | 8:46

Miqësore për Dinamon, Daja ka “armë” shtesë

Dinamo u rikthye te forma e saj më e mirë, duke marrë dy fitore radhazi në kampionat ndaj Tiranës dhe Flamurtarit.dinamoSkuadra e Dajës e sheh veten në kuotën e 10 pikëve në 6 javët e para të kampionatit, por për fatin e tyre të mirë, edhe skuadrat e tjera kanë gabuar duke mos u shkëputur askush në krye dhe diferenca është mjaft e ngushtë në këto 6 javë. Sa i përket skuadrës, Dinamo ka qenë aktive në merkato, duke afruar e larguar futbollistë, por Daja ka mundësi që të aktivizojë edhe të tjerë lojtarë, të cilët ende nuk kanë arritur të gjejnë debutimin për këtë sezon.

PËRGATITJET- Daja e ka lënë skuadrën e tij 3 ditë pushim pas ndeshjes ndaj Flamurtarit, duke përfituar nga ndeshjet e Kombëtares. Dy ditët e fundit, blutë janë stërvitur me mungesa për shkak të angazhimit në Kombëtare, teksa pjesa tjetër ka qenë e plotë dhe pa lojtarë të dëmtuar. Sakaq, stafi teknik kanë menduar për të zhvilluar edhe një ndeshje miqësore në fundjavë, në mënyrë që skuadra të ketë mundësi që të mbajë ritmin dhe të ketë ngarkesë maksimale para ndeshjes së ardhshme ndaj Egnatias, e vlefshme për javën e gjashtë të Superiores.

LOJTARËT PA MINUTA-Në skuadrën e Dinamos, jo të gjithë futbollistët kanë luajtur këtë sezon dhe ka prej atyre, që janë mjaftuar vetëm me stërvitje ose nxehmje. Fjoart Jonuzi është njëri prej tyre. Ish-mesfushori i Tiranës u transferua me bujë te Dinamo dhe sezonin e shkuar ishte shpesh herë protagonist, por këtë sezon ende nuk e ka gjetur aktivizimin. Ysni Ismaili është një tjetër futbollist i afruar rishtazi nga Vora, lojtar ky që sezonin e fundit ishte ndër më të dalluarit në Kategorinë e Parë.

Ish-mbrojtësi i Shqipërisë U21 nuk ka debutuar ende në kampionat me Dinamon ndërkohë që dëmtimet e kanë penalizuar jo pak në këtë fillim kampionati. Sa i përket portës, paraqitjet që ka pasur Aldo Teqja këtë sezon, kanë lënë në stol Edmir Salin. Ky i fundit, e ka parë shpesh herë veten titullar me Dinamon, por duket se Teqja nuk ka më në plan t’i lirojë vend, duke bërë që të mos aktivizohet në asnjë ndeshje këtë sezon. Një tjetër futbollist që ende nuk ka debutuar, është Adrian Doçi. Mesfushori që ka luajtur me të rinjtë e Volfsburgut, sezonin e shkuar u aktivizua në 16 ndeshje, por një dëmtim i pësuar, e ka mbajtur larg fushave për këtë sezon.

MË TË AKTIVIZUARIT– Këtë fillim sezoni, Dinamo ka pasur disa lojtarë që kanë luajtur të gjitha ndeshjet e Superiores, teksa ndarja e minutave nuk ka qenë e barabartë për të gjithë. I vetmi lojtar me minuta të plota, mbetet Aldo Teqja që ka në këmbë deri më tani 540 minuta, i ndjekur nga Lorenco Vila, me 501 minuta. Sa i përket ndeshjeve, veç këtyre dyve, janë edhe Karamba, Gudiabi, Lorran, Qardaku e Dejvi Bregu, por të gjithë këta me më pak minuta në këmbë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL