Ministri i Sportit në Itali ndez fantazinë e tifozëve: Guardiola si trajner i përfaqësueses nuk është një ëndërr e pamundur
Andrea Abodi, Ministri për Sportin në Itali, ka lëshuar një deklaratë e cila do të ndezë padyshim fantazinë e tifozëve.

I pyetur rreth përfaqësues italiane dhe emrit të Pep Guardiolës si kandidat për të marrë drejtimin e saj, Abodi theksoi se kjo kishte të bënte më shumë me dëshirën e Guardiolës për të ndërmarrë një rrugëtim të tillë se sa me anën financiare.
“Duhet të kuptojmë nëse ai dëshiron Italinë, ka shumë prej saj në rrugëtimin e jetës së tij dhe unë besoj në ndjenjat e tij. Është pjesë e opsioneve të mundshme, sigurisht që nuk është një ëndërr e pamundur. Ai është një trajner shumë i rëndësishëm, trajneri i kombëtares është një profesion tjetër dhe duhet të kuptojmë nëse një trajner i jashtëzakonshëm është dhe dëshiron të bëhet gjithashtu një trajner kombëtareje i jashtëzakonshëm. Sipas meje, është një sfidë që ata duan ta marrin përsipër herët a vonë.
Nuk mendoj se ka të bëjë me paratë, por me ambiciet dhe ëndrrat. Një trajner i vetëm nuk e bën një ekip kombëtar; duhet ta shoqërojë një projekt i nivelit të lartë. Duhet të entuziazmojë, si dhe të ndërgjegjësojë. Duhet të jetë një stimul për të rikuperuar fijen e përsosmërisë që kemi sakrifikuar për shkak të paaftësisë së klasës drejtuese, si në klube ashtu edhe në liga dhe në FIGC. Duhet të punojmë në një mënyrë të integruar për të arritur qëllimet dhe për të bashkëpunuar. Nuk është e mjaftueshme thjesht hapja e portave për të mbushur stadiumet”, tha Abodi.
PANORAMASPORT.AL













