Mesfushori i Teutës, Toli: Ndaj Dinamos për maksimumin, çdo duel ka rëndësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2026 | 12:21

Mesfushori i Teutës, Toli: Ndaj Dinamos për maksimumin, çdo duel ka rëndësi

Teuta po përgatitet për një tjetër sfidë të rëndësishme në kampionat, teksa sot do të përballet me Dinamon në stadiumin “Air Albania”. Durrsakët synojnë të marrin një rezultat pozitiv në këtë transfertë delikate. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i Teutës flet për përgatitjet e ekipit, rëndësinë e ndeshjes me Dinamon dhe objektivat e skuadrës në këtë fazë të sezonit.toliArdit, sot ju pret një ndeshje e rëndësishme përballë Dinamos?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. E dimë që Dinamo është një kundërshtar i fortë dhe ndeshjet ndaj tyre janë gjithmonë të luftuara. Megjithatë, ne jemi përgatitur mirë gjatë javës dhe do të shkojmë në “Air Albania” për të marrë maksimumin.

Çfarë duhet të bëjë Teuta që të dalë me rezultat pozitiv?

Mendoj se duhet të jemi të përqendruar gjatë gjithë ndeshjes dhe të zbatojmë detyrat taktike që na kërkon trajneri. Nëse luajmë si skuadër dhe japim maksimumin në çdo duel, kemi shanset tona për të marrë një rezultat pozitiv.

Si e shihni formën e skuadrës në këtë moment të sezonit?

Skuadra është në një moment të mirë. Kemi punuar fort dhe kemi treguar se mund të konkurrojmë me çdo ekip. Atmosfera në grup është shumë e mirë dhe kjo na jep besim për ndeshjet që vijnë.

Të luash në “Air Albania” është gjithmonë diçka e veçantë…

Sigurisht që po. Është stadiumi më i madh në Shqipëri dhe çdo futbollist ka dëshirë të luajë aty. Kjo të motivon edhe më shumë për të dhënë maksimumin në fushë.

Çfarë mesazhi keni për tifozët e Teutës para kësaj ndeshjeje?

Tifozët tanë janë gjithmonë një mbështetje shumë e madhe për ne. Shpresoj që të jenë pranë skuadrës edhe në këtë ndeshje dhe ne do të bëjmë maksimumin për t’i bërë krenarë.

Në aspektin personal, si po e përjetoni këtë sezon me Teutën?

Po mundohem të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe të ndihmoj skuadrën sa më shumë që të jetë e mundur. Për mua më e rëndësishmja është që ekipi të arrijë objektivat dhe të vazhdojmë të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL