Mesfusha e zbuluar te Partizani, probleme të mëdha para sfidës me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2025 | 19:53

Mesfusha e zbuluar te Partizani, probleme të mëdha para sfidës me Flamurtarin

Partizani është me probleme të mëdha para ndeshjes me Flamurtarin. Dy lojtarë që luanin prej kohësh bashkë në mesfushë, Arafat Doumbia dhe Redon Ismaili, nuk do të japin kontributin e tyre. Doumbia ka mbyllur vitin 2025 pas dëmtimit, që pësoi në derbin me Tiranën. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë ishte me topin në këmbë, kur pati përplasjen me mesfushorin Rafa të Tiranës.

Partizani

Në anën tjetër ndodhet Redon Ismaili, që u ndëshkua në pjesën e dytë të sfidës me bardheblutë. Kështu mbushi edhe numrin e kartonëve të verdhë.

PASOJAT- Pjesa e dytë e derbit duket se i ka kushtuar shtrenjtë të kuqve, që nuk llogarisin shërbimet e dy mesfushorëve titullarë për sfidën e radhës. Nga minuta e parë me Flamurtarin të gjithë gjasat janë që të kthehet Adnard Mehmeti. Më pas mbetet për t’u vendosur nëse Mateo Shanaj apo Gjergji Kote do të kenë një vend në formacion.

PRAPAVIJA- Portieri Qirko bashkë me pjesën tjetër të mbrojtjes do të qëndrojnë të paprekur, pasi nuk pësohet gol prej tri ndeshjesh radhazi. Albion Marku, Andi Janjeva, Altin Bytyçi dhe David Atanaskoski janë parë si garanci për prapavijën. Para tyre mund të qëndrojë Saliu Sembene, në rast se ndryshon skema. Senegalezi la pas dëmtimin dhe mori minuta si zëvendësues në dy sfidat e fundit. Kjo periudhë mund të shikohet si mundësi, që të marrë sërish vendin e titullarit.

NDRYSHIMET- Reparti i mesfushës është i vetmi me probleme momentalisht. Përballë Flamurtarit është mundësia që Hjumen që tregojë sërish potencialin e tij, pasi u zhbllokua me gol në derbin me Tiranën. Në bazë të ndërtimit të mesfushës, do të vendoset edhe për sulmin. Aty ku Vusal Isgandarli dhe Rrok Toma prej disa ndeshjesh mbajnë vendin e tyre. Dilemat mbeten të mëdha dhe asgjë nuk është vendosur duke qenë dy ditë larg sfidës. Gjergji Kote është një prej lojtarëve, që nuk dihet nëse do të jetë sërish nga minuta e parë pas derbit. Këto ndryshimet së bashku bëjnë që të pritet një Partizan tjetër.

Screenshot 2025-12-11 195254

PANORAMASPORT.AL