“Merkatoja të nisë nga trajneri, shpresoj ta njohë kampionatin”. Xhafa: Kthimi në elitë, Flamurtarit i duhet fat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2025 | 15:20

“Merkatoja të nisë nga trajneri, shpresoj ta njohë kampionatin”. Xhafa: Kthimi në elitë, Flamurtarit i duhet fat

Fjodor Xhafa është i lumtur për rikthimin e Flamurtarit pas 5 vitesh në Superiore. Gëzohet për këtë arritje jo vetëm si vlonjat, por edhe si ish-futbollist dhe si një nga drejtuesit e suksesshëm të akademisë vlonjate. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Xhafa mendon se merkato duhet të nis ne emërimin e trajnerit të ri.

fjodor-xhafa

Flamurtarin e shikon pretendent për kupat e Europës, por jo trofe në këtë vit parë të rikthimit dhe këtë e thotë nga eksperienca. Ish-sulmuesi komenton edhe aventurën si zv.trajner i Bylisit sezonin e fundit, ku arriti objektivin që ballshiotët të qëndronin në Superiore. Nuk e shikon ideale formulën e elitës, që, sipas tij, të vë në gjumë dhe nxjerr shumë pretendentë për të fituar kampionatin.

Xhafa, si ndiheni pas rikthimit të Flamurtarit në Superiore?

Është arritja e pritshmërive që ka pasur çdo dashamirës, jo vetëm ish- futbollistë apo tifozët e Flamurtarit. Ishte një periudhë e gjatë që i mungoi Superiores.

Nga grupi aktual, sipas jush, cilët nga lojtarët duhet të qëndrojnë?

Duke qenë që unë jam pjesë e këtij profesioni, mendoj se ka njerëz në klub që janë kompetentë për këto gjëra. Ne mund të flasim nga jashtë si tifozë, por unë në momentin që nuk e konsideroj veten si tifoz, nuk është etike të flas. Klubi ka njerëz kompetentë, të cilët bëjnë mirë në atë drejtim.

Çfarë këshille keni për merkaton?

Jam i sigurt se me çfarë po informohem edhe nga gazeta, do të bëhet merkato cilësore. Vetëm se, duke qenë që ekipi vjen nga Kategoria e Parë dhe i ka munguar shumë elitës, mendoj që duhet edhe pak fat. Kur e ribën pjesën më të madhe të ekipit, sado cilësore që të jetë, duhet të kenë edhe pak kimi me njëri-tjetrin në vitin e parë. Në vazhdimësi do të jetë më e lehtë. Viti i parë do edhe pak fat që të krijohet boshti me harmoninë e duhur.

Flamurtari po kërkon trajnerin e ri, ndërsa në garë janë shumë kandidatë. Si duhet të jetë trajneri i ri?

Merkato duhet të fillojë nga pankina, se çdo trajner e bën ekipin me shijet e veta. Ka idetë e tij të lojës dhe strategjitë e veta. Aty është “A”-ja e gjithçkaje. Duke parë ecurinë në përgjithësi, pa dashur të paragjykoj trajnerët e huaj, mendoj se një trajner ndoshta edhe i huaj, por që e njeh mirë kampionatin shqiptar, është i duhuri. Në përgjithësi, emrat e mëdhenj të trajnimit që kanë ardhur në Superiore edhe e kanë nënvlerësuar pak nivelin, sepse mendojnë se jemi në Shqipëri. E kanë nënvlerësuar edhe emra të mëdhenj të trajningut, të cilët nuk e njohin kampionatin shqiptar. Kështu që jam i idesë që edhe i huaj mund të jetë, por të njoh mirë kampionatin shqiptar.

Ju e mbyllët aventurën te Bylis apo do të vijoni bashkëpunimin?

Mendoj se ishte një eksperiencë e suksesshme. Në kohën që presidenti i Bylisit më afroi, ne i realizuam objektivat që kishim për të arritur. Një nga objektivat ishte qëndrimi në Superiore i ekipit të parë dhe ngjitja e ekipit B në Kategorinë e Dytë, të cilin e drejtova personalisht. Tani është një periudhë refleksioni për të gjitha palët.

Si e shikoni Superioren në sezonin e ri?

Është një formulë që të vë pak a shumë në gjumë. Egnatia i shkoi deri në fund. Me fat ndryshe, edhe Egnatia që e udhëhoqi kampionatin deri në fund, mund të mos dilte kampion. Janë shumë ekipe që do të jenë pretendente për të arritur objektivat madhorë.

Ku i shikoni mundësitë apo objektivat e Flamurtarit?

Mendoj se arritja e Europës do të jetë diçka pozitive. Dëshira është për kampion, por besoj se është e vështirë në vitin e parë ta arrijë këtë objektiv madhor. Arritja e kupave të Europës do të ishte sukses.

 

5

sezone mbylli Flamurtari larg Superiores. Për herë të fundit, vlonjatët milituan në elitën e futbollit në sezonin 2019-2020. Edicioni i ri i gjen vlonjatët në elitë dhe me objektiva madhorë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL