Merkatoja do të shtrihet në të tria repartet. Porta “e blinduar”, Vora mes largimeve e rinovimeve
Ne kampin vorak ka gjallëri në këto ditë të para të qershorit. Kjo tregon më së miri se drejtuesit e ka marrë me seriozitet të madh ndërtimin e skuadrës së Superiores. Vora kërkon mbijetesën në elitë dhe po i bën hesapet mirë për të lënë pas të paktën tri skuadra, nga 10 që konkurrojnë në Superiore, në përfundim të kampionatit.

Klubi ka nisur njëkohësisht me të tria variantet e merkatos: largimet, afrimet dhe rinovimet. Fillimisht e nisi me tri largimet e para, mbrojtësi i djathtë, Ysni Ismaili, mesfushori me tipare sulmuese Gresild Lika dhe mesfushori i majtë, Odirah Ntepe. Pasi zyrtarizoi largimet e para, Vora bëri edhe goditjen e parë në merkaton e kësaj vere. Vora ka siguruar shërbimet e një “gardiani” që do të mbrojë portën në Superiore.
Blindimi i portës – Një rival i fortë i afrohet portierit Shkëlzen Ruçi, 26-vjeçari Romeo Harizaj. Ky përforcim do t’i japë më shumë garanci portës. Duke e bërë këtë repart të “blinduar” që në këtë moment. Portieri i ardhur nga Tirana, Romeo Harizaj, përbën njëkohësisht edhe afrimin e parë te Vora. Ky afrim u pasua me largimin e portierit të dytë të sezonit të titullit në të Parën, Arbër Jata.
Përveç Ruçit dhe Harizajt, porta e Vorës kompletohet edhe me “gardianin” e tretë, Flavio Shala, që pritet të vazhdojë. Shala deri më tani nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje me ekipin e parë, pasi ai mbronte portën tek ekipi U-19 i Vorës. Flavio Shala i bie të jetë portieri i tretë i ekipit të parë, njëkohësisht edhe portier i skuadrës U-21 të Vorës. Kështu merr formën e plotë treshja e portierëve të Vorës, por që ende nuk është zyrtarizuar akoma: Shkëlzen Ruçi, Romeo Harizaj dhe Flavio Shala.
Situata e merkatos te Vora
Afrime: Romeo Harizaj;
Rinovime: Xhuljo Tabaku, Jurgen Vrapi, Marjo Barjamaj;
Largime: Ysni Ismaili, Gresild Lika, Odirah Ntepe, Arbër Jata,Ermir Skënderi, Evans Aneni, Nikolin Duka;
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













