Më shumë largime se afrime/ Pasqyra e merkatos, si ndryshoi Partizani në 1 vit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2025 | 21:01

Më shumë largime se afrime/ Pasqyra e merkatos, si ndryshoi Partizani në 1 vit (E PLOTË)

Partizani zyrtarizoi së fundmi largimin e tre sulmuesve. Dmitri Podstrelov, Nikola Vujnoviç dhe Rodrigo Piloto ndanë rrugët me të kuqtë. Pritshmëritë ishin të mëdha në afrimin e tyre, por lojtarët e huaj dolën jashtë llogarive për sezonin 2025/26. “Panorama Sport” ju sjell një pasqyrë të tetë lojtarëve, të cilët tashmë nuk i përkasin Partizanit.

partizani

Po ashtu edhe të punës në merkato në 1 vit. Gjelbrim Taipi është lojtari i vetëm i larguar, që nuk ishte afrim i kryeqytetasve në sezonin e fundit. Mesfushori u transferua te “demat” në verën e vitit 2023. Taipi luajti në total 81 ndeshje, duke shënuar tre gola dhe asistuar gjashtë të tjerë. Me përfundimin e kontratës, nuk u preferua rinovimi.

Rodrigo Pilotos nuk iu besua asnjëherë vendi i titullarit te Partizani. Kujtojmë se ishte ndër lëvizjet e para të merkatos në verën e kaluar. 24-vjeçari nga Portugalia mori më pak se 80 minuta në katër ndeshje. Me Partizanin në Kategorinë e Tretë shënoi pesë gola në gjashtë ndeshje. Pas pjesës së parë të sezonit u rikthye tek Atletik D’Eskaldes. Në Andorrë rigjeti formën më të mirë. Piloto shënoi tetë gola dhe asistoi tre të tjerë në 12 ndeshje të kampionatit. Vetëm së fundmi, Partizani njoftoi përfundimin e bashkëpunimit. Partizani qëndron në kërkim të një profili si Matondo. Në korrikun e kaluar u huazua Jozef Mintongo nga Kameruni.

Pritshmëritë ishin të mëdha për 19-vjeçarin, që tashmë nuk është pjesë e llogarive të ekipit të parë. Mintongo luajti më pak se 150 minuta në total të katër ndeshjeve ku u aktivizua. Një pjesë të sezonit e kaloi duke luajtur me Partizanin B dhe ekipin U-19. Anteo Osmanllari u bashkua me “demat” në gushtin e vitit të kaluar. Mbrojtësi 26-vjeçar nuk ia doli të fitojë vendin e titullarit dhe e mbylli me tetë paraqitje. Rreth 450 minuta në total me ekipin e parë gjatë gjithë sezonit. Osmanllari luajti edhe me ekipin B në Kategorinë e Tretë.

Partizani transferoi David Domgjonin në shtatorin e kaluar. 28-vjeçari dha kontributin e tij në 27 ndeshje. Për të ishin rreth 2000 minuta në total. Kështu u bë një nga lojtarët me më tepër minuta te sezoni i Partizanit. Dmitri Padstrelau iu bashkua të kuqve në fillimin e këtij viti. Bjellorusi shikohej si pasuesi i Tedi Carës, që vazhdoi karrierën në Ukrainë. Padstrelau kishte edhe një vit të mbetur kontratë, por e shkëputi bashkëpunimin me mirëkuptim. Luajti 21 ndeshje në total, në të cilat shënoi dy gola. 26-vjeçari u nda nga skuadra e parë, duke numëruar rreth 1200 minuta. Blesing Eleke u afrua te Partizani në janar, pasi kishte disa muaj pa skuadër. 29-vjeçari nga Nigeria shënoi gola të rëndësishëm për minutat që mori.

Eleke pati 12 paraqitje në total, ku tundi rrjetën tri herë. Në total për të ishin rreth 650 minuta. Goli i fitores me përmbysje ndaj Skënderbeut, goli i vetëm në fitoren ndaj Laçit dhe tjetri që vulosi fitoren 2 me 0 të Partizanit ndaj Elbasanit, bëjnë që të mos largohet pa lënë gjurmë. Nikola Vujnoviç u afrua te Partizani në fundin e janarit të këtij viti. Hapësirat për malazezin ishin të pakta. Kontrata e 28-vjeçarit u shkëput, kur kishte mbetur edhe 1 vit tjetër. Tetë ndeshje në total dhe më pak se 300 minuta ishte koha e vendosur në dispozicionin e Vujnoviç, që nuk shënoi asnjë gol. Gjatë periudhës me Partizanin luajti një ndeshje tek ekipi B në Kategorinë e Tretë.

TË TJERË- Vangjel Zguro dhe Franci Lala janë dy lojtarë, që u afruan një vit më parë dhe ndanë rrugët gjatë sezonit të fundit. Po ashtu, Valentino Murataj luajti vetëm në ndeshjet e turit të parë të Ligës së Konferencës. Partizani pati sukses në financa, pasi si asnjë klub tjetër i Superiores, realizoi me sukses shitjet e Maget Guejes, Arinaldo Rrapajt, Tedi Carës, Kristian Mbas dhe Andi Hadrojt.

TË MBETURIT- Disa përforcime nga sezoni i fundit janë te klubi i Partizanit. Bëhet fjalë për Atanaskoskin, Gudjufin, Ogunlejen, Zekën, Shanajn, Çipin, Shalën dhe Mandon. Aktualisht në Ohër po stërvitjen Atanaskoski, Gudjufi, Zeka, Shanaj dhe Çipi. Shala ndërkohë u dëmtua gjatë fazës përgatitore.

BINTSUKA- Kongolezi mbetet një çështje te Partizani, teksa aktualisht konsiderohet lojtar i lirë. Rinovimi është mjaft pranë me sulmuesin më efikas të dy sezoneve të fundit. Ndryshe nga të larguarit e tjerë, që janë afruar me parametra zero dhe shumica nuk kishin perspektivë për t’u shitur, për Bintsukën nuk mund të thuhet e njëjta gjë. 22-vjeçari ka përfunduar shpesh në radarët e klubeve të huaja.

ZYRTARIZIMET- Partizani e nisi sezonin e ri me dy firma të lojtarëve nga akademia. Elson Himallarit dhe Dion Vatës iu besuan kontrata 3-vjeçare. Pas tyre pasuan afrimet e Xhuliano Skukës, Vusal Isgandarlit, Karlos Martinezit dhe Judah Garsias. E sigurt është që merkato e Partizanit nuk është mbyllur. Fokusi i madh qëndron pikërisht në mesfushë.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL