Mbylli huazimin te Kukësi, Sefa shpreson te firma me Vorën
Okseold Sefa është një nga lojtarët që i mbaron kontrata te Vora. Futbollisti, i huazuar te Kukësi në janar, është në pritje të një rinovimi të mundshëm me vorakët. Mesfushori 23-vjeçar luajti si i huazuar për gati 4 muaj me kuksianët.
Ai erdhi te Vora më 20 qershor 2022, ku nënshkroi kontratë trevjeçare, që kur skuadra militonte në Kategorinë e Dytë. Dëshira e Sefës është që ta vijojë karrierën te Vora dhe shpreson për një rinovim të mundshëm. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Sefa flet për sezonin e fundit, ku ishte pjesë e dy klubeve, Vora dhe Kukësi, si dhe për ambiciet për të ardhmen.
E nisët te Vora dhe e përfunduat në Kukës. Si ishte sezoni për Sefën?
Padyshim, ka qenë një sezon i fortë dhe i vështirë. Jam aktivizuar thuajse në të gjitha ndeshjet e kampionatit dhe të Kupës, ku me mjaft përkushtim kam dhënë kontributin tim për të dyja ekipet. Më vjen mirë që e mbylla te Kukësi me objektiva të realizuar, ku skuadra arriti të mbijetojë në Kategorinë e Parë. Edhe te Vora pata një ecuri mjaft të mirë gjatë pjesës së parë të kampionatit, duke shërbyer për të. U gëzova shumë kur skuadra e Vorës u shpall kampione e së Parës.
Cilat janë përshtypjet tuaja te Vora, pasi i jeni bashkuar ekipit kur konkurronte në Kategorinë e Dytë…
Debulesa ime është dhe mbetet Vora. Kjo është skuadra ime e parë me të rriturit. Kalova nga U-21 e Tiranës te Vora dhe kjo ishte kontrata ime e parë në karrierë. Kjo kontratë, edhe pse ishte trevjeçare, kaloi shumë shpejt. U aktivizuar për dy sezone e gjysmë, pasi gjysmë tjetër e përfundova te Kukësi. Te Vora ruaj mbresat më të mira, pasi që vitin e parë unë fitova titullin kampion në Kategorinë e Dytë. Dhamë një kontribut të jashtëzakonshëm në sezonin e kaluar për t’u ngjitur në elitë dhe arritëm deri në fazën “play off”. Po ashtu, edhe në edicionin që sapo përfundoi, ruaj mbresat më të mira, pasi u bë realitet ajo ëndërr e madhe e klubit, ngjitja në Superiore. Pas përfundimit të gjysmës së sezonit te Kukësi, i bie të dal lojtar i lirë, pasi kontrata ime me Vorën skadon në qershor.
A keni ndonjë ofertë, apo ide pas mbarimit të kontratës me Vorën?
Më janë ofruar disa mundësi, si nga Superiorja, Kosova dhe Maqedonia. Por jam i përqendruar te klubi, ku unë kam kontratën edhe për një muaj. Fillimisht do të ulem të bisedoj me drejtuesit e klubit për të rinovuar përsëri me Vorën, që tani është në Superiore. Jam në pritje të këtyre bisedimeve për sezonin e ardhshëm. Në pamundësi, më pas do të zgjedh ofertën më të mirë të mundshme.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













