Mbyllet java e parë e fazës në Ohër, Kasmollari kalon nga Pogradeci te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2025 | 14:43

Mbyllet java e parë e fazës në Ohër, Kasmollari kalon nga Pogradeci te Dinamo

Dinamo, nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, ka mbyllur me sukses javën e parë të fazës përgatitore në Ohër. “Nëndetësja” u zhvendos buzë liqenit të Ohrit para një jave, ku pritet të përgatisë rikthimin në Europë pas një mungese 15- vjeçare.dinamoAventura e Dinamos në Europë nis nga turi i parë eliminator i Ligës së Konferencës dhe blutë renditen te skuadrat jofavorite, për vetë mungesën e gjatë që kanë në Europë. Gjithsesi, dinamovitët i varin shpresat te trajneri Ilir Daja, i cili e ka treguar veten si ekspert skuadrash në ballafaqimet europiane, kryesisht me Skënderbeun dhe Ballkanin, ku arriti edhe fazën e grupeve. Problemi i vetëm për dinamovitët në javën e parë ka qenë mungesa e miqësoreve, pasi nuk kanë gjetur kundërshtar. Mbase ky ngërç mund të zgjidhet këtë javë, duke ditur se edhe Partizani i ka zhvendosur përgatitjet në Ohër dhe mund të kemi një derbi kryeqyteti në Maqedoninë e Veriut.

Në lidhje me javën e parë stërvitore në Ohër, klubi kryeqytetas, përmes një postimi, shkruan: “Nën një atmosferë të qetë dhe kushte optimale, dinamovitët kanë mbyllur javën e parë të përgatitjeve në Ohër, ku trajneri Ilir Daja dhe stafi i tij po punojnë me përkushtim maksimal për të ndërtuar një ekip sa më të gatshëm dhe kompetitiv për Ligën e Konferencës. Me grupin janë bashkuar prej disa ditësh edhe Baton Zabërgja dhe Naser Aliji pas angazhimit me skuadrat përfaqësuese të Shqipërisë e Kosovës”.

Me Dinamon po përgatitet edhe mesfushori Oresti Kasmollari, i cili në sezonin e shkuar u huazua nga blutë te Pogradeci. Kështu që trajnerit Daja i është shtuar edhe një tjetër alternativë në mesfushë, por në vijim priten përforcime të tjera.

PANORAMASPORT.AL