Mbrojtësit nderojnë Pogradecin, suksesi i tretë radhazi në Tropojë. Faza “play off”, liqenorët e kanë vetë në dorë
Pogradeci vijon me serinë e fitoreve, teksa ka arritur të tretën radhazi. Pas suksesit me Flamurtarin dhe Vorën, ishte radha e Valbonës për të provuar forcën e liqenorëve. Pogradeci ka fituar në transfertën e Tropojës me rezultat 2-1.

Ka qenë një ndeshje e bukur, e luftuar nga të dyja skuadrat, ku superiorë dolën pogradecarët. Miqtë përfituan nga dy gabime individuale të mbrojtësve dhe finalizuan me Pengun e kapitenin Zguro. Në fundin e ndeshjes, tropojanët ngushtuan shifrat në 2-1 me golin e Ballës. Takimi nisi me dy raste të Valbonës, por Vidrica dhe Balla nuk finalizojnë. Dy ish-futbollistët e Valbonës gjatë pjesës së parë të kampionatit, Kevi Berberi dhe Jeton Krasniqi, godasin portën, por reagon portieri Tiago Domi.
Liqenorët kalojnë në avantazh në minutën e 18-të. Kapiteni Zguro merr një inkursion nga e djathta, jep një asist për Pengun, që përfiton nga gabimi i Rosajt dhe shënon, 1-0 për Pogradecin. Me këtë gol u mbyll pjesa e parë. Edhe pjesa e dytë është nën komandën e miqve, pasi te vendasit ndihet lodhja, pasi mungon freskia në stol. Në minutën e 59-të, Pogradeci dyfishon me kapiteni Zguro. Në minutën e dytë shtesë, tropojanët shënojnë golin e “nderit” me Ballën, i cili finalizoi me një gjuatje nga distanca. Me këtë trepikësh, pogradecarët shkojnë të sigurt drejt fazës “play off”.
VALBONA – POGRADECI 1-2
GOLAT: Balla 90+2’ / Pengu 18’, Zguro 59’
VALBONA: Domit, Artur, Doçi, Uesli, Takaj, Rosaj (Islamaj 75’), Lala, Mateli, Balla, Xhabafti, Vidrica; (Në dispozicion: Llanaj). Trajner: Oltijon Kërnaja
POGRADECI: Marin, Ivani, Hysenllari, Shkullaku (Cereni 28’), Lila, Berebri, Pengu, Zguro, Krasniqi, Raza (Samake 55’), Alidema;(Në dispozicion: Beqiri, Vokrri). Trajner: Ardian Mema
Kartonë të verdhë: Hysenllari 39’
Gjyqtarë: O. Çela, E. Malo, D. Mile (Vlorë)
Delegat: Rinaldo Kuli (Patos)
Vëzhgues: Engjëll Pjetrushi (Lezhë)
A.DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













