Mbrojtësi Lala: Valbona reziston deri në fund, nuk dalim duarbosh nga transferta e Vlorës
Valbona bëri “vetëvrasje” në Tropojë, ku humbi një ndeshje, që kurrsesi nuk parashikohej të ishte e tillë, pasi ishin ata që kaluan dy herë në avantazh ndaj Lushnjës. Por tropojanët “u dehën” shpejt dhe lëshuan terren dhe në fund u përmbysën nga lushnjarët në shifrat 4-2.

Kjo tregon papjekurinë e skuadrës së Valbonës, që nuk mundi të ruante avantazhin e krijuar. Me këtë disfatë, situata në kampin tropojan është rënduar, pasi tani rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria. Edhe më të vështirë ua bën kalendari i fazës së tretë, pasi në fillim përballen me skuadrat e kreut që synojnë elitën. Fillimisht luajnë në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe më pas presin Vorën në Tropojë. Janë dy ndeshje ku Valbona duhet të paktën të marrë ndonjë pikë, në rast se dëshiron të mbijetojë. Në lidhje me situatën dhe ndeshjen e radhës me Flamurtarin, mbrojtësi i krahut të djathtë, Rei Lala, për “Panorama Sport” deklaroi:
“Ndeshja në Vlorë është shumë e vështirë për ne, gjithsesi kemi besimin se do t’i marrim pikë Flamurtarit. Kemi humbur 2-0 në Vlorë në fazën e parë, ku dihet se kjo fitore e vlonjatëve erdhi me mjaft vështirësi. Pastaj në fazën e dytë në Tropojë, Flamurtari na ‘vodhi’ fitoren në kohën shtesë. Nisur nga këto dy përballje direkte, ne do të rezistojmë në Vlorë, ku të paktën të marrim një pikë në fund. Çdo pikë e fituar na vlen shumë për objektivin që kemi si skuadër, mbijetesën. Ne po përgatitemi që Valbona të bëjë maksimumin për të mos u kthyer nga Vlora pa pikë”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













