Mba jashtë ndaj Skënderbeut, gati transferimi në Ukrainë/ Ndryshon plani i Veselinoviç
Partizani ka vijuar normalisht dje pasdite përgatitjet për betejën e së shtunës në “Arenën e Demave” kundër Skënderbeut. Të kuqtë tentojnë ta nisin vitin me fitore përballë një kundërshtari, që renditet në vendin e fundit dhe po kalon një situatë të vështirë.

Nga kampi i kuq mësohet se dje Veselinoviç ka bërë një ndryshim të detyruar sa i përket planit të lojës, por edhe lojtarëve që do të zbresin në fushë. Merkatoja është dinamike dhe mësohet se Kristian Mba nuk do të përfshihet në 11-she për këtë sfidë.
Ky fakt na shtyn të mendojmë se shitja për afro 500 mijë euro tek ekipi i Metalist Kharkiv është kryer tashmë dhe mund të quhet çështje e mbyllur. Sulmuesi po kalon ditët e fundit si “dem” dhe në ditët në vijim pritet të ndahet me të kuqtë për të nisur një aventurë të re në ligën e dytë Ukrainase.
Mba mungoi edhe kundër Vllaznisë dhe një nga arsyet ishte edhe çështja e shitjes. Me daljen jashtë planit të Mba, duhet të ndryshojë edhe formacioni për sfidën me Skënderbeun. Trajneri Veselinoviç me shumë mundësi do të inkuadrojë Bintsuka në qendër dhe do të rikthejë në 11-she Zekën nga e djathta, për të spostuar në të majtën blerjen e re, Podstrelov.
PANORAMASPORT.AL













