“Marrëveshja me Bylisin ka qenë deri në përfundim të kampionatit”, Mezani: Flamurtarit nuk i thuhet jo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2025 | 12:52

“Marrëveshja me Bylisin ka qenë deri në përfundim të kampionatit”, Mezani: Flamurtarit nuk i thuhet jo

Emri i Gentjan Mezanit po qarkullon mes shumë emrave të tjerë, si një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Flamurtarit. Trajneri vlonjat e mirëpret me kënaqësi dhe thotë se nuk do ta refuzonte rikthimin në shtëpi. Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, Mezani shprehet se kontrata me Bylisin i ka përfunduar, por janë të hapura bisedimet.

Gentian-Mezani

Ndihet i lumtur për ngjitjen e Flamurtarit në Superiore, pasi i ka munguar elitës. Beson se në klub po punojnë fort për ndërtimin e një skuadre që të jetë konkurrente për trofe.

Mezani, cila është situata juaj aktualisht, jeni një trajner i lirë?

Marrëveshja ime me presidentin e Bylisit ka qenë deri në përfundim të kampionatit, por më pas do të flasim përsëri.

Mes shumë kandidaturash që po përfliten aktualisht për trajner të Flamurtarit, është edhe emri juaj. Do ta dëshironit një rikthim?

Flamurtari është familja ime dhe pa diskutim që nuk do ta refuzoja.

Skuadra vlonjate u ngjit në Superiore pas pesë vitesh, si ndiheni?

Sinqerisht, më erdhi mjaft mirë që Flamurtari u rikthye, sepse aty e ka vendin, e meriton. Sikundër, edhe Superiorja meriton Flamurtarin.

Keni një këshillë për merkaton që duhet të bëjnë?

Nuk mund të flas për merkaton dhe nuk mund të japë këshilla, pasi nuk më takon në momentin që unë nuk jam pjesë e klubit. Flamurtari i ka njerëzit dhe besoj që pa diskutim po mendojnë për të bërë një merkato sa më të mirë që ky Flamurtar të jetë konkurrent për titull.

Si e shikoni Superioren këtë sezon të ri?

Superiorja çdo vit po tregon që po bëhet edhe më e fortë dhe pa diskutim që e pres ende dhe më të luftuar e me shumë rivalitet.

Nën drejtimin tuaj, Bylisi arriti suksesin teksa qëndroi në Superiore. Si ishin ato javë teksa ishit nën drejtimin e kësaj skuadre?

Ishin javë shumë intensive dhe me shumë emocione pasi çdo njëra prej tyre ishte shumë vendimtare. E dija që një pikë do ta bënte diferencën në fund. Ne arritëm të bënim një surprizë. Mendoj që shumë meritë kanë edhe lojtarët që në asnjë moment nuk u dorëzuan, por luftuam së bashku në çdo ndeshje.

ERMAL SIKA  -PANORAMASPORT.AL