Marin Abazaj karikon Bylisin: “Shtrëngojmë dhëmbët” për fitoren kundër Teutës
Sfida me Teutën ka marrë angazhim maksimal nga të gjithë aktorët dhe faktorët në skuadrën e Bylisit.

Marin Abazaj, që është një nga lojtarët më shumë të aktivizuar por edhe ka spikatur si kapiten te Bylisi, në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport”, ka analizuar gjendjen e ekipit, ecurinë e javëve të fundit, por edhe synimin ndaj durrsakëve sot.
“Morëm një disfatë me Skënderbeun në shtëpi, në një duel ku ne u futëm në fushë dhe bëmë çmos për ta fituar takimin. Falënderoj tifozët tanë që na mbështetën maksimalisht dhe ata janë kthyer në një aleat tonin shumë besnik, por unë besoj se skuadra do të kthehet, madje që sot tek ecuria pozitive. U kemi dhënë fjalën drejtuesve dhe stafit se do të bëjmë edhe më mirë në ndeshjet në vijim, ndonëse përballë kemi Teutën, ekip me kualitete dhe shumë traditë. Bylisi është një ekip që meriton vendet e sipërme, por na ka munguar fati dhe, përpos kësaj, në javën e fundit në fushën tonë, nuk na u dha penallti kur loja ishte 0-0 dhe ndeshja mund të merrte tjetër rrjedhë. Shpresoj që të mos përsëriten më në ndeshjet në vijim, sepse gara tashmë është në kulmin e vet dhe çdo ndeshje është shumë vendimtare, jo për Bylisin, por për çdo ekip”,- tha fillimisht pogradecari i Bylisit.
FAZA E FUNDIT- Sipas Marin Abazajt, Bylisi do të jetë “top” në çdo sfidë, ndaj çdo kundërshtari edhe për atë se në merkato ka bërë goditje dhe ka afruar lojtarë që e kanë forcuar dukshëm kontigjentin.
“Duke nisur nga sot e deri në fund të garës, duhet që të ‘shtrëngojmë dhëmbët’ dhe të kërkojmë pikët maksimale në çdo duel. Por, së paku, na duhet që ta mbyllim me maksimumin e pikëve sfidat me rivalët direkt për mbijetesën dhe që të jemi një ekip kompakt e me synime të qarta”,- tha në fund të prononcimit pogradecari i Bylisit, Marin Abazaj.
E.SALIU-PANORAMASPORT.AL













