LISTA/ 54 trajnerë në 32 vite dhe vetëm tre tituj kampion, Partizani nuk… duron
Partizani ka ndërruar 54 trajnerë për katër trofe. Shqiptarë, ballkanas, italianë e jo vetëm, rikthime në stol, një mori ndryshimesh te Partizani që nga viti 1993. Kreu i pankinës është kyçi i skuadrës. Ai e vendos, në fushë, planifikon manovrën, e menaxhon psikologjikisht dhe merr përgjegjësi për çdo problem që mund të shfaqet në fushën e lojës dhe në stërvitje.

Si i tillë, ky rol mund të themi është më “i atakuari” në momentet kur gjërat nuk shkojnë mirë. E tillë është situata te Partizani. Pas ndryshimeve të janarit, skuadra po vuan një krizë të fortë identiteti dhe rezultatet po mungojnë.
Në gjashtë ndeshjet e fundit në Superiore, të kuqtë kanë grumbulluar vetëm 3 pikë, duke vënë tashmë në dyshim edhe një vend në katërshen e “Final 4”. Në këtë situatë drejtuesit vendosën të shkarkonin trajnerin Aleksandar Veselinoviç, edhe pse flitej të kishte edhe një vit e gjysmë kontratë me klubin.
DURIMI – Që kur drejtimin e klubit e ka marrë presidenti Demi, Partizani ka ndërruar plot 22 herë trajnerin, pa përfshirë ata që e kanë drejtuar për një apo dy ndeshje. Praktikisht, në 12 vite Partizani ka një mesatare prej thuajse dy trajnerësh për çdo sezon, mesatare që nuk i shkon përshtat një klubi me ambicie dhe që synon çdo sezon për titullin kampion dhe për të shkuar në grupet e kompeticioneve europiane. Kjo tregon edhe mungesën e projekteve të qëndrueshme. Nëse e marrim në krahasim me atë që ka ndodhur që nga viti 1993, mund të themi se Demi ka ndjekur trend të ngjashëm me paraardhësit sa i përket këtij detaji. I vetmi trajner i Demit që ka arritur të qëndrojë më shumë se një sezon, është Ilir Daja. Tiranasi së bashku me drejtorin Rama drejtuan Partizanin në një sezon mjaft të fortë në sezonin 2020-2021, kur titulli i humbi në ndeshjet e fundit, jo tërësisht prej aftësive të tyre. Më pas nisi një projekt i ri dhe skuadra hasi vështirësi. Daja u largua, por la lojtarë që i shërbyen ekipit e u bënë liderë drejt fitimit të titullit dhe të Superkupës.
JETËGJATË – Që nga viti 1993, rekordmeni është “Bobi”, Sulejman Starova, jo për vetëm nga titullin që i ka dhënë Partizanit, por prej faktit që është ulur plot 6 herë në stolin e të kuqve (1990-’94; 1996-’97; 2005-’06; 2015-’16, 2016-’17’; 2017-’18). Nuk është i vetmi, ama, pasi pasohet nga Neptun Bajko që në periudha të ndryshme e ka drejtuar 5 herë ekipin (2001; 2002- ’03; 2005; 2006-’07; 2010-’11), ndërsa nga 3 herë kanë qenë Sulejman Mema (2003-’04; 2004-’05; 2005), Shpëtim Duro (2001-’02; 2008-’09; 2014-’15) dhe Hasan Lika (1994-’95; 2006-08, 2013-’14), sakaq nga dy herë u është besuar pankina edhe Genc Tomorit, Ilir Spahiut, Ylli Shehut, Klevis Dalipit dhe Adolfo Sormanit.
KAMPIONË – Skënder Gega dhe Xhovani Kolela janë dy trajnerët e vetëm që e kanë shpallur Partizanin kampion. Gega drejtonte në sezonin 2018-2019 dhe dominonte në të gjithë sezonin, ndërsa Kolela fitonte një titull të përfolur gjatë, pasi e mbylli sezonin me pikë të barabarta me Tiranën, por fitoret në derbi rezultuan vendimtare. Titullit pranë i kanë shkuar edhe Starova, Duro apo Daja, por nuk ia kanë dalë dot.
DËSHTIME – Kjo listë është e gjatë dhe në rastet më të shumta përbëhet nga trajnerët e huaj. Emra si Sampaio, Iuliano, Lerda apo Sormani në aventurën e dytë, nuk arritën të bindnin dhe të drejtonin skuadrën në nivelet e pritshme. Në këtë listë mund të themi se futet edhe Veselinoviç deri në një pikë. Nuk fitoi asnjë derbi ndaj një Tiranë plot halle dhe nuk arriti të ndërtojë një skuadër me një stil të caktuar loje. Gjithashtu, të rinjtë nuk patën rritje.
TË HUAJT – I pari i huaj ka ardhur në 2001-shin dhe ka qenë pikërisht bullgari Nikolaj Arabov. Pas tij, italianët u kthyen në “modë”, duke filluar nga Ticiano Gori që erdhi në 2002-shin, Andrea Agostineli (qëndroi 6 muaj në 2016-ën), Adolfo Sormani (rezistoi 4 muaj në 2016-ën), Mark Iuliano (5 muaj në 2017- ën). Më pas një italian tjetër si Franko Lerda mbërriti pas largimit të Skënder Gegës dhe gjithashtu Sormani u rikthye duke zëvendësuar bashkëkombësin e tij. Xhovani Kolela ishte italiani i fundit, për t’i hapur rrugë ballkanasve si Zekiç apo Veselinoviç. Në listën e të huajve është edhe portugezi Marko Sampaio, që qëndroi 4 muaj në 2014-ën.


DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













