Laska premton përforcime: Do jetë një Laç më i fortë
Informacionet që kanë rrjedhur nga kampi bardhezi e kanë dërguar portierin Moç- ka drejt divorcit me kurbinasit.
Por dje presidenti i Laçit, Pashk Laska, në një prononcim për “Panorama Sport” ka sqaruar jo vetëm situatën me portierin vlonjat, por edhe planet e skuadrës së tij. Në fjalën e tij, presidenti bardhezi është ndalur te puna intensive që po bëhet në klub, për të përgatitur grupin dhe gjithçka që i duhet Laçit për mbarëvajtjen e sezonit të ri, që nisin me Superkupën më datën 12 gusht. Për numrin një të kurbinasve ky do të një edicioni mjaft i vështirë.
“Shumë skuadra po konfigurohen me elementë cilësorë, çka do të thotë se aktivitetet sportive pritet të karakterizohen nga një luftë e fortë sportive e rivalitet”, tha ndër të tjera Laska.
“Shpëtim Moçka është pjesë e Laçit. Me futbollistin kemi një kontratë të rregullt, të noterizuar, të cilën palët duhet ta respektojnë. Nuk e di se nga kanë dalë informacionet që ai është lënë i lirë. Di të them se “gardiani” do të qëndrojë. Është fakt i kryer. Ne kemi afruar një talent tjetër për portën, Selmanin, ama rruga e vetme e Moçkës është që t’i bëjë hyzmetin punës dhe të shohë mundësinë të kapë formacionin”, sqaroi presidenti. Dje, së bashku me drejtorin Ramdan Ndreu, Laska ka pasur një takim në kryeqytet me një menaxher nga Kosova. Skuadra- “Jemi duke parë punën tonë për ta kompletuar grupin më lojtarët e duhur. Disa titullarë janë peng i dëmtimeve dhe si asnjë skuadër tjetër ne po vuajmë mungesën e tyre. Gjithsesi, nuk do të qëndrojmë duarkryq. E sigurt është se Laçi do të jetë gati, madje me kontingjentin që kemi do të bëjmë gjithçka për të fituar Superkupën, të cilën do ta luajmë ndaj Skënderbeut më 12 gusht, në kryeqytet”, përfundoi kreu i klubit kurbinas. Laska la për të kuptuar se Laçi jo vetëm që do të jetë faktor në Kategorinë Superiore, por do të tentojë që në fillim të imponohet si një skuadër elitare.
Përgatiti: Isuf Myrtaj













