Lajme pozitive te Partizani, afrimi i janarit është gati kundër Egnatias
Partizani vijon përgatitjet për ndeshjen kundër Egnatias të shtunën në “Arenën e Demave”, duke nisur nga ora 16:30. Të kuqtë synojnë të vijojnë me vazhdimësinë pozitive të ndeshjeve të fundit, duke ardhur nga tre fitore radhazi në kampionat, që i afrojnë edhe më shumë me objektivin për t’u bërë pjesë e “Final Four”, teksa aktualisht “Demat” janë në kuotë të barabartë pikësh (36) me Dinamon e vendit të katërt.

Për sfidën me Egnatian, trajneri Oltijon Kërnaja pritet të ketë në dispozicion edhe Kamer Qakën. Mesfushori i afruar në merkaton e janarit mungoi në takimin ndaj Flamurtarit për një goditje që, për fat të mirë, nuk rezultoi serioze. Megjithatë, ish-lojtari i Kombëtares, që sjell shumë përvojë në fushë për Partizanin, do të mund të japë kontributin e tij ndaj rrogozhinasve.
Aq më tepër kur edhe në këtë ndeshje do të mungojë Redon Ismaili, mesfushori titullar që ka koleksionuar katër kartonë të verdhë dhe do ta ndjekë ndeshjen ndaj Egnatias vetëm si spektator. Alternativat në mesfushë për trajnerin Kërnaja nuk mungojnë, teksa gati është edhe Arafat Dumbia, i cili prej disa javësh po stërvitet rregullisht me skuadrën pas një mungese të gjatë, që nga ndeshja derbi me Tiranën në fazën e dytë.
Po ashtu, të gatshëm për një fanellë titullari janë edhe Adnard Mehmeti dhe Valentino Murataj, i cili u preferua titullar në Vlorë ndaj Flamurtarit. Ndërkohë, për këtë ndeshje me Egnatian do të rikthehet nga pezullimi edhe Paulo Buxhelaj.
PANORAMASPORT.AL













