Lacio e snobon: Te ne do të ishte sulmuesi i tretë
Mino Raiola dhe Igli Tare kanë nisur bashkëpunimin mes tyre me një seri marrëveshjesh në dy vitet e fundit, si për shembull transferimet e Stefan De Vraj e deri Rikardo Kishna sivjet. Por menaxheri italo-holandez tentoi që të sillte në kryeqytet edhe sulmuesin Mario Baloteli, i cili është shpallur “non grata” tashmë në Liverpul.
Trajneri Brendën Roxhers i ka lënë dorë të lirë futbollistit që të gjejë një destinacion tjetër, duke ulur maksimalisht edhe kërkesën ekonomike për kartonin e tij, nga 22 në 10 milionë euro. Por ndërsa drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, kishte arritur të gjente paktin me Liverpulin për një huazim me të drejtë blerjeje, ky akord i mundshëm është stopuar nga presidenti Klaudio Lotito, me urdhër të trajnerit Stefano Pioli. Edhe pse po flasim për Mario Balotelin, cilësitë e këtij të fundit nuk i pëlqejnë strategut italian, duke qenë se ai është i vendosur për të vazhduar mbi idetë e tij të lojës, të luajë me një bomber zone dhe dy krahë të shpejtë si Anderson e Kandreva.
Prandaj, duke qenë se “Super-Mario” nuk e bën dot detyrën e bomberit, edhe sikur të arrinte të transferohej në Romë, ai do të qëndronte në stol për zgjedhje teknike, duke qenë se Pioli do ta vlerësonte atë si zgjedhjen e tretë të sulmit, pas Kloses dhe Xhorxheviçit. Por, përveç kësaj, paga e 25-vjeçarit në Liverpul prek 6 milionë eurot, një shumë që edhe e përgjysmuar, Lacio nuk do ta përballonte sot. Prandaj, pas disa thashethemeve mbi një akord mes Lacios dhe Balotelit, dje ka ardhur përgënjeshtrimi.













