Kurbinasit nën presion, Nërguti gati për sulmin! Ndreu: Kastrioti s’ndalet, Laçi bie në “Redi Maloku”
Sfida e sotme në “Redi Maloku”, ora 13:30, mes Kastriotit dhe Laçit konsiderohet si një nga përballjet më speciale të javës së 13-të në Kategorinë e Parë.
Jo vetëm për historinë e dy ekipeve që vite më parë kanë qenë pjesë e Superiores, por edhe për rrënjët e tyre të përbashkëta para viteve ’90, kur si klube të të njëjtit rreth përballeshin mes një atmosfere të zjarrtë dhe tifozëri të shumtë.
Edhe pse koha ka ndryshuar dhe tribunat nuk janë më si dikur, krutanët besojnë se këtë herë do të ketë më shumë tifozë se zakonisht, sidomos pas katër fitoreve radhazi, që kanë rikthyer entuziazmin në qytet. Kjo ecuri është një sinjal i fortë për t’i dhënë sfidës ndaj Laçit ngjyrat që meriton. Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, i shpallur javën e kaluar nga FSHF si trajneri i javës, shprehet i qartë, ndeshja ndaj Laçit është vendimtare dhe skuadra e tij kërkon vetëm fitoren.
Ndreu, për llogaritë e javës së 13-të, shorti ju ka vendosur përballë Laçit. Si paraqitet gjendja e skuadrës tuaj për këtë sfidë?
Gjendja e skuadrës është mjaft e mirë. Lojtarët kanë treguar seriozitet maksimal gjatë përgatitjeve dhe janë të motivuar për të përballuar një ndeshje kaq të rëndësishme. Angazhimi i tyre në stërvitje dhe fokusimi në detajet taktike më japin besim se skuadra është gati për sfidën.
Si e vlerësoni skuadrën kundërshtare?
Laçi, pavarësisht se këtë sezon luan në Kategorinë e Parë, mbetet një skuadër e respektuar dhe me emër në futbollin shqiptar. Eksperienca e tyre në Superiore i jep personalitet dhe i bën gjithmonë rivalë të fortë. Nuk është një kundërshtar i lehtë dhe do të kërkojë maksimumin në fushën tonë.
Me katër fitore radhazi, a është skuadra juaj gati për të marrë suksesin e radhës?
Po punojmë shumë që kjo të ndodhë dhe jam optimist se objektivi do të realizohet. Përveç përgatitjes teknike dhe taktike, kemi punuar edhe psikologjikisht me lojtarët për të kuptuar rëndësinë e kësaj ndeshje. Angazhimi dhe motivimi i tyre më bën të sigurt se do të marrim maksimumin.
Tashmë është bërë e zakonshme të pyesim, jeni optimist se skuadra juaj mund të jetë mes më të mirave të kampionatit?
Ecuria e mirë e javëve të fundit më bën optimist. Falë eksperiencës time si trajner, marrja e ndeshjeve një e nga një dhe përgatitja e kujdesshme e skuadrës për çdo sfidë është çelësi për të qëndruar konkurrues. Besoj se objektivat e mëdha janë të arritshme.
Cili është mendimi juaj për Kategorinë e Parë, ku nga 12 skuadra pjesëmarrëse, nëntë kanë qenë pjesëmarrëse të Superiores?
Ky është një kampionat shumë i fortë dhe mjaft cilësor. Emrat e skuadrave pjesëmarrëse shtojnë nivelin e konkurrencës dhe bukurinë e kampionatit. Çdo ndeshje është sfidë e vështirë dhe nuk ka asnjë garanci për fitore të lehtë. Lufta sportive është e fortë dhe çdo pikë ka rëndësi. NDERIM GOCI
Laçi është i dyti në renditje, por falë luhatjeve të fundit nuk ka arritur të mbajë ritmin e Skënderbeut. Me fitoren e djeshme të korçarëve, kurbinasit kanë ngelur 12 pikë pas vendit të parë. Prag ndeshjes me Kastriotin, presioni mbi bardhezinjtë është rritur ndjeshëm.
Jo vetëm që distanca me kreun është thelluar, por afër tyre ndodhet edhe Pogradeci, që po ndjek me vëmendje çdo hap. Për të siguruar minimumi vendin e dytë, skuadra e trajnerit Naxhi Shesoj duhet të kthehet me fitoren nga ky transfertë. Për këtë sfidë, trajneri Shensoj ka grupin gati në formë të plotë, me rikthimin e Henrik Nërgutit në repartin ofensiv, i cili mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Ilirisë për shkak të pezullimit nga kartonët. Barazimi në shtëpi me Ilirinë duhet të shërbejë si mësim për kurbinasit, sot, ata duhet të kthehen me çdo kusht te fitorja, edhe pse përballë kanë një Kastriot në formë, që nuk njeh humbje në katër javët e fundit. Fitorja nuk është thjesht objektiv, por një domosdoshmëri për të ruajtur vendin e dytë dhe për të qëndruar në garë për titull.
PANORAMASPORT.AL













