Kupa e Pavarësisë, Shkëndija sjell në Shqipëri ekipin e të rinjve
Ky edicion i Kupës Pavarësia, duket se nuk po shkon ashtu siç e shpresonte Federata Shqiptare e Futbollit kur vendosi që ky edicion të zhvillohej në Tiranë. Aktiviteti, i cili do të zhvillohet të hënën, pasi humbi protagonistin e zakonshëm, Flamurtarin, tani ka humbur edhe një tjetër pjesëmarrje cilësore, atë të Shkëndisë së Tetovës. Kjo e fundit nuk është tërhequr nga turneu, por ka vendosur që të përfaqësohet me ekipin e të rinjve pasi ka një kalendar shumë të ngjeshur për momentin.
Klubi ka bërë gjithçka të ditur nëpërmjet një njoftimi në faqen e vet në internet ku ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi.

“Shkëndija edhe këtë vit do të jetë pjesë e aktivitetit mbarëkombëtar ‘Kupa Pavarësia 2016’ që zhvillohet me 28 Nëntor në Tiranë. Tradicionalisht ‘kuqezinjtë’ janë pjesë e këtij aktiviteti që organizohet për nder të ditës së Flamurit kombëtar, ndërsa përveç Shkëndijës këtë vit do të marrin pjesë edhe Kukësi i Shqipërisë, Prishtina e Kosovës dhe KF Otrant nga Ulqini i Malit të Zi.
Për shkak të angazhimeve në kampionat ku Shkëndija më 27 Nëntor ka ndeshje derbi me Rabotniçkin në Tetovë dhe faktit që 28 Nëntori këtë vit bie të hënën, ‘kuqezinjtë’ detyrohen drejt Shqipërisë të udhëtojnë me ekipin e të rinjve.
Kujtojmë se Shkëndija në të kaluarën ka fituar një herë trofeun e ‘Kupës Pavarësia’ në vitin 2012, pikërisht në turneun më të zgjeruar për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar”.













