Kukësi-Valbona, sot ora 13:30/ Verilindorët nisin turin e forcës. Kërrnaja: Larguam 4 sabotatorë, shkojmë për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2025 | 13:21

Kukësi-Valbona, sot ora 13:30/ Verilindorët nisin turin e forcës. Kërrnaja: Larguam 4 sabotatorë, shkojmë për fitore

Kukësi nis sot atë që ndryshe quhet edhe si “turi i forcës”. Përballë do të ketë rivalët e saj direkt për mbijetesë. Gjithçka nis me duelin me ndjekësen më të afërt, që mund t’i rrezikojë vendin e dhjetë, Valbonën, të cilën do ta presë në shtëpi.

kukesi

Objektivi i vetëm i bluve, që sot pritet të bëhen me trajner të ri, është vetëm fitorja, për të mbyllur ndoshta njëherë e mirë rrezikun që i vjen nga zona e poshtme. Aktualisht, diferenca është tetë pikë, por një fitore e bluve do ta dërgonte në 11-të, ndaj me pak fjalë, mund të thuhet se luhet një finale mes tyre, sepse bëhet fjalë për një ndeshje përcaktuese. Për fat të mirë, kuksianët nuk kanë asnjë mungesë për shkak të kartonëve, por në dyshim është kapiteni Redon Dragoshi, që vuan nga një dëmtim që e ka lënë larg fushave në dy takimet e fundit.

Sakaq, Kukësit i rikthehet portieri Amarildo Dervishaj, të cilit iu desh të bënte një javë pushim, për shkak të kartonëve. Kukësi, dje më 4 mars, ka kremtuar edhe 95-vjetorin e krijimit, ndaj ka një motiv më shumë për të marrë fitoren e sotme. Siç dihet, momentalisht ekipi ka kaluar në duart e drejtorit sportiv, Asuel Dervishaj, që po stërvit ekipin deri në momentin që do të prezantohet trajneri i ri, i cili është lënë të bëhet sot para nisjes së takimit. Sipas të gjitha zërave, trajneri i ri do të jetë Bledar Devolli, megjithatë, për aq kohë sa nuk ka asgjë zyrtare, mund të ketë edhe surpriza.

 

Tekniku i Valbonës: Vonesat me pagat? Presidenti…

Kërrnaja: Larguam 4 sabotatorë, në Kukës shkojmë për fitore

Pas “bombës” që plasi para ndeshjes me Erzenin, trajneri Oltijon Kërrnaja sqaron situatën në kampion tropojan, ndërsa flet gjithashtu edhe për takimin e radhës me Kukësin.

Kërrnaja, sa lojtarë janë larguar nga skuadra? 

Janë aluduar shumë emra, por realisht të larguar nga Valbona janë vetëm katër lojtarë, konkretisht: Mashi, Lamçe, Farruku dhe portieri Hoxha.

oltion kernaja

A ndikoi kjo në humbjen e ndeshjes jetike me Erzenin? 

Jo, skuadra jonë mbizotëroi lojën dhe krijuam raste të shumta. Na u mohua dhe një gol i rregullt, pasi portieri e kapi brenda vijës fatale. Por kuptohet që vështirësi patëm. Gjysma e lojtarëve e kishin vlerësuar kundërshtarin, pjesa tjetër jo. Kjo na detyroi që të largonim katër lojtarët e mësipërm. Ata nuk na janë përgjigjur gjatë seancave stërvitore, duke i bojkotuar dhe nga kjo ka ardhur dhe arsyeja e largimit të tyre.

Si e gjetët grupin e skuadrës që morët përsipër të drejtonit?

Me thënë të drejtën, ekipi i Valbonës, ka qenë ndërtuar gabim. Gjithmonë e kam përsëritur. Te Valbona ka probleme. Një pjesë e skuadrës vinte në stërvitje e pjesa tjetër jo. Janë larguar disa lojtarë të formacionit bazë. Por duheshin lojtarë më cilësorë për të përballuar kategorinë e parë.

Nesër (sot) keni përballjen me Kukësin, si do paraqitet Valbona në këtë ndeshje?

Skuadra ka dalë në stërvitje, sidomos me lojtarët që luajtën në ndeshjen e fundit. Jemi stërvitur me ata persona, që unë mendoj se na duhen. Ekipi është përgatitur normalisht për këtë ndeshje kundër Kukësit. Kuptohen vështirësitë e ekipit në këto momente, ku presioni psikologjik për mbijetesën është maksimal. Ne jemi akoma në lojë. Kemi ndeshje përpara. Shkojmë për fitore.

Si qëndron e vërteta mbi pagesat e lojtarëve?

Me sa di unë, presidenca i ka qëndruar pranë ekipit. Asgjë nuk i ka munguar kësaj skuadre. Mund të ketë pasur ndonjë vonesë (siç ndodh rëndomtë në çdo klub në Shqipëri), por presidenca gjithmonë i ka qëndruar pranë dhe u është përgjigjur me korrektësi lojtarëve. Ajo ka arritur t’u plotësojë dhe kushtet stërvitore, qëndrimet në ditët e ndeshjeve dhe çdo gjë ka qenë në rregull.

Pse këmbëngulët se është ndërtuar keq ekipi i Valbonës? 

Kur them është ndërtuar keq, kam parasysh se ndërtimi i një ekipi nuk mund të ketë kurrë një mbrojtës të majtë dhe vetëm një mbrojtës të djathtë. Ka vetëm dy mesfushorë qendre. Kjo numerikisht është e ndërtuar gabim. T’i lëmë mënjanë cilësitë e lojtarëve, sepse ato janë gjëra që duken.

V.MEMA/ A.DUSHKU- PANORAMASPORT.AL