Kukësi lë Valbonën pa shpresa, verilindorët prezantojnë trajnerin Tafaj. Kërnaja: Patëm vetëm një lojtar në stol
Derbi i veriut mes Kukësit e Valbonës nuk pati shumë histori, pasi skuadra kuksiane fitoi në shifrat 3-0. Dragoshi, Pecani e Kristian janë protagonistë të kësaj fitoreje. Një orë përpara kësaj sfide, skuadra kuksiane prezantoi trajnerin e ri, Fatjon Tafaj, pas largimit të trajnerit Alfred Allamani, një javë më parë në ndeshjen e tyre kundër Erzenit.

Në kahun tjetër, hallet e Valbonës nuk kanë të sosur. Përveç numrit të kufizuar të lojtarëve, pas eksodit në ekipi, mesfushorit nigerian, Adetola Laval, i ndodhi një fatkeqësia familjare. Gjatë udhëtimit drejt Kukësit, ai mori lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së tij, kështu që ai nuk ishte në gjendje të luante. Valbona u paraqit me vetëm 12 lojtarë në dispozicion. Kësisoj, tropojanët u dorëzuan pa kushte në Kukës, duke humbur të gjitha shpresat për të mbijetuar.
NDESHJA- Në minutën e 11-të, Dragoshi merr një top nga e djathta e sulmit dhe shumë pranë vijës ballore të zonës, godet shtriras dhe topi shkon në rrjetë dhe 1-0 për Kukësin. Kuksianët nuk ndalet dhe vijojnë në minutën e 22-të me ekzekutimin perfekt të Danajt nga këndi e topi kalon ngjitur me traun e portës. Në të 28-ën shfaqet rasti i parë për tropojanët me Lalën, por topi kaloi ngjitur me traun e portës së Kukëist. Në minutën e 41-të Pecani pranë vijës ballore godet tokazi dhe topi përfundon në rrjetë. Në shifrat 2-0 mbyllet fraksioni parë. Në pjesën e dytë Kukësi dominon për gati 35 minuta, teksa shënohen dhe golin e tretë me anë të nigerianit Kristian në minutën e 70-të. Në 10 minutat e fundit loja ndizet ku të dyja skuadrat krijojnë raste pa fund. Valbona shfaqet dy herë me Vidricën që del ballë përballë me portierin, shpërdoron dhe më pas Mateli godet portën, por pret portieri Samuel. Vendësit patën dy raste me Birçaj dhe Hasanaj, por që u ndalën nga portieri Domit. Gjithçka mbyllet 3-0 për Kukësin.
Trajneri i ri- Një orë përpara takimit në ambientet e stadiumit u krye ceremonia e prezantimit të trajnerit të ri të Kukësit. Fatjon Tafaj u prezantua nga drejtuesi i klubit, Florin Biba, si dhe drejtori sportiv Asuel Dervishaj edhe para lojtarëve. Tafaj vjen pas një karriere të pasur si lojtar me disa klube, por edhe si trajner në disa skuadra, madje dhe zv.trajner te Kukësi Pas marrjes së frenave të skuadrës kuksiane, trajneri Fatjon Tafaj u shpreh: “Falënderoj drejtuesit e klubit për zgjedhjen e tyre, që unë të jem trajneri i ri i Kukësit. Nuk kam se çfarë të shtoj tjetër, përveçse të rris kualitetin e skuadrës, të kemi një ecuri pozitive në rezultate në ndeshjet që kanë mbetur, që Kukësi të mos rrezikojë zonën ‘play out’. Qëllimi ynë është që të shmangemi nga kjo zonë, duke nisur që nga ndeshja e ardhshme me Erzenin në Vorë”.
Kukësi – Valbona 3-0
Golat: Dragoshi 11’, Pecani 41’, Kristian 70’
Kukësi: Samuel, Tomas, Sulçe, Kapllanaj, Dragoshi (Hilaj 46’), Avdiu, Pecani (Hasanaj 64’), Kristian (Okonkuo 74’), Danaj, Fejzaj (Badje 74’) Grezda (Birçaj 59’). (Në dispozicion: Dervishaj, Lamellari, Sadiq, Selita, Sefa) Trajner: Asuel Dervishaj
Valbona: Domi, Artur, Doçi, Balla, Taka (Islamaj 72’), Rosaj, Lala, Zeqiraj, Mateli, Xhabafti, Vidrica. Trajner: Oltion Kërnaja.
Karton i verdhë: Doçi 42’
Gjyqtarë: A. Stolaj, Xh. Rroshi (Tiranë) H. Lila (Kavajë)
Delegat: Justin Bespalla (Shijak)
Vëzhgues: Pajtim Lapi (Shkodër)
Drejtori
Dervishaj: Fitorja na motivon për vazhdimësinë
Drejtori sportiv i Kukësit, Asuel Dervishaj, që drejtoi ekipin në këtë ndeshje pas largimit të trajnerit Allamani, për “Panorama Sport” u shpreh: “Një hap pozitiv, teksa Kukësi mori tri pikët dhe u bë një motivim për trajnerin e ri. Ndeshja ishte përgatitur maksimalisht. Ishte një duel i vështirë, për shkak të pozitave ku ndodhen të dy ekipet. Djemtë dhanë maksimumin. Me ardhjen e trajnerit të ri besoj se do ketë shumë prioritete për të vijuar me këtë ritëm. Ndoshta do të kisha rregulluar dy-tri gjëra më shumë, përsëri jemi të kënaqur nga ecuria e lojës. Rezultati flet vetë. Ishte një rezultat pozitiv që shërben si një motivim për të shkuar edhe në ndeshjen e ardhshme”.
Trajneri Kërnaja
Pas humbjes së radhës, trajneri i Valbonës, Oltijon Kërnaja, u shpreh: “Skuadra kishte mungesa dhe patëm vetëm një lojtar në stol. Fatkeqësia e Lavalit para sfidës ishte një mungesë e madhe, pasi e kishim planifikuar titullar. Luajtëm bukur gjatë 45 minutave, por mungesa e lojtarëve rezervë dhe lodhja ndikuan në rënien e lojës sonë. Ideja ime në këtë takim ishte që rigjenerojmë diçka për sezonin që vjen. Janë probleme të së kaluarës, tani duhet të fitojmë ndonjë element”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













