Kthesat “misterioze” të një kampionati të markës shqiptare
Nga BESNIK DIZDARI
Ndodhi! Ndodhi ecuria “misterioze”e një Kampionati të markës shqiptare. Ky i Republikës së Shqipërisë, datuar 2025-2026. Kjo më e pakta për autorin e këtij editoriali. Ndonëse për hir të së vërtetës jo vetëm edhe për te…

Më parë kishte ndodhur që Vllaznia të kryesonte në plot 8 javë. Për herë të fundit në Javën 12. Mandej punët iu rrokullisën deri aty sa që jo larg, por krejt këtu afër, në Javën 18, pra dy javë më parë, të ishte në vendin e katërt me 30 pikë.
Çka do të thoshte plot 7 pikë larg kryesueses “së pamposhtur” që ishte Egnatia e Rrogozhinës me 37 pikë. Bash në këte çast, na shfaqet “misterioziteti” i Kampionatit. Na shfaqet përmes këtyre rezultateve të dy javëve të fuddit, asaj 19 dhe kësaj 20: Vllaznia – Egnatia 1-0, Teuta – Dinamo 0-0, AF Elbasani – Flamurtari 1-1, Egnatia – AF Elbasani 2-2 dhe kryendeshja Dinamo – Vllaznia 0-2.
Dhe ja ku mbërrijmë tek renditja po “misterioze” e katër skuadrave të para: Egnatia 38 pikë, Vllaznia 36, AF Elbasani 35, Dinamo 33. Ku më të afërtit e tyre janë Teuta e Partizani të vendit të pestë e të gjashtë, me nga 26 pikë, pra deri 7 pikë larg skuadrës së katërt që është Dinamo. Çka do të thotë se këto dy skuadra të mirënjohura, veç me titullin Kampion vështirë të kenë punë.
Kështu edhe ngaqë Kampionati ka ende 16 javë për përfundimin, që po quhet “përfundimi i javëve të rregullta”. Terminologji e re kjo për shkak të “final four” që mbyt mendimin shqiptar të gazetarisë, krejt e papranueshme edhe kjo. Episodi i madh doemos është fitorja, që po e quaj sektakolare, e Vllaznisë 2-0 në Tiranë me Dinamon. Dhe skuadra shkodrane e dyta me vetëm 2 pikë larg Egnatias. Kur ndërkohë, spikasin edhe këto rezultate të jopretendentëve, të një “koreografie” assesi të njëtrajtëshme:
FK Vora – Bylis 4-1, Partizani – FK Vora 0-1, AF Elbasani – Flamurtari 1-1, Bylis – SK Tirana 0-1, Bylis – Flamurtari 0-3.
Më tepër një “lamsh i bukur” ky – nëse mund të përcaktonim kështu – se sa një “misteriozitet”. Me saktë kemi të bëjmë me ulje e ngritje befasuese. Deri aty sa që krejt papritmas, sikur ringjallen shpresat tek Sportklub Tirana e cila mbas 14 javëve arrin fitoren e dytë në Kampionat: në Ballsh 1-0. Më 3 tetor 2025 kishte dërmuar Partizanin në një 3-0 të bujshëm, pa i shkuar askuj nëpërmend për “të keqen” që do ta priste më tej. Një tjetër “misteriozitet” ky, në të vërtetë rasti i vetëm asisoji për krejt historinë e skuadrës 28 herë Kampione të Shqipërisë.
Çfarë Kampionati qenka ky? Kjo pyetje mua si gazetar i vjetër më krijon mundësinë t’i jap njëqind përgjigje. Ndonëse merret me mend se nuk mund t’i shpalos të gjitha këtu. E para: ndodhemi gjithnjë përballë një kryeneçësie po “misterioze” të Federatës Shqiptare të futbollit që ka guximin prepotent të zhvillojë një Kampionat me vetëm 10 skuadra. Dhe deri më sot ende nuk kemi mësuar se kush e propozoi këte. Një kryesi Lige? Një sondazh? Një referendum prej të gjithë klubeve të Shqipërisë? Mandej po kryeneçësi për të zhvilluar finalet e Kampionatit me katër skuadrat e para, kësaj rradhe duke ua përgjysmuar pikët. Dhe e treta, ndonëse mund të jetë e para: lejim i vërshimit pa frê i lojtarëve të shteteve të tjera, thuajse nga të gjithë kontinentet! Dhe që përbëjnë gati shumicën e lojtarve të skuadrave.
Nga 7, 8, 9, 10 e deri 11 të huaj për secilën në një ndeshje të vetme. Prej këtu kemi një përgjige të katërt prej të njëqintave: elementi i ri që përherë ka dalë prej farishteve të klubeve që sot me pompozitet i quajtkan “akademi”, nuk ka më vend në skuadrat e Shqipërisë. Dhe përgjigja nr. 5: të gjithë janë nënshtruar. Askush nuk flet. Askush nuk bëzan. Askush nuk thotë një gjysmë fjale. Askush nuk pyet: çka i sollën Kampionatit të Shqipërisë këto ndryshime aspak bindëse? Mbërrij tek përgjigje nr. 6: gjithënjë e më pak spectatorë.
Në këte javë Javë numër 20 pati deri shifra kësisoji: Dinamo – Vllaznia vetëm nja 1300 spektatorë në një stadium me 22.000 vende. Në Partizani – Teuta vetëm 600. Dhe ishin ndeshjet e më të mëdhejve të futbollit shqiptar!… Kësaj rradhe mjaftojnë vetëm këto përgjigje të mësipërme për “ta hedhë në erë” organizimin e Kampionatit të Shqipërisë, i cili mezi i jep nja 2 lojtarë Kombëtares së Shqipërisë. E edhe kjo hyn te “misterioziteti” në fjalë.
Dhe Kombëtarja e sukseseve të mëdha, me “djallëzi” federaliste don të na mbushë mendjen se futbolli shqiptar po zhvllohet shumë. Më vjen keq, por nuk është kështu. Kombëtarja e Shqipërisë është europiane, “jo shqiptare”. Ajo të kënaq me kualifikimet e saj të bujshme, si dhe me nja 5 a 6 ndeshje po të bujshme në vit. Të duket se bukuria e saj ajo i përket thjesht një gjeopolitike kombëtarase. Ndonëse nuk është një “bukuri migjeniane që vret”.

Dhe kaq pra. Kur siç dihet, Kampionati Kombëtar është gara e madhe, popullore, tradicioanale e përjavëshme. Eshtë dëfrimi i madh po i përjavshëm, që ta do mendja se duhet të gëzojë, po për çdo javë, një popull ende halle shumë. Ndoshta kështu duhet kuptuar edhe gëzimi i pamatë fitimtar e “origjinal” i trajnerit të Vllaznisë Edi Martini, që FSHF-ja më kot don ta bëjë çështje… Këtu përfundon ky editorial, duke shpresur se editorialet e tjerë, do të na e flakin tej pikërisht metaforën “misterioze” të këtij Kampionati të markës shqiptare.
PANORAMASPORT.AL













