Kotobelli gati ndaj Tiranës: Atmosferë pozitive, Teutës i duhet trepikëshi
Rreth disa orë para duelit të madh me Tiranën në “Niko Dovana”, atmosfera në kampin durrsak është e qetë me energji, fokus dhe vendosmëri. Teuta kërkon të bëjë kthesën në kampionat dhe të ruajë dominimin në shtëpi, ndërsa përballë ka një nga rivalët më të fortë dhe tradicionalë. Në prag të kësaj sfide që pritet të tërheqë vëmendjen e gjithë tifozëve, kapiteni Blerim Kotobelli ndan mendimet e tij për përgatitjet, gjendjen e skuadrës dhe rëndësinë e tri pikëve të radhës.

Ndeshja me Tiranën është gjithmonë e veçantë. Si është atmosfera në skuadër? Atmosfera është shumë pozitive. Kemi punuar fort gjatë javës dhe jemi të fokusuar vetëm te loja. Ndeshje të tilla na motivojnë gjithmonë më shumë, sidomos kur luajmë në Durrës përpara tifozëve tanë.
Çfarë rëndësie ka kjo ndeshje për objektivat e Teutës? Çdo pikë është e rëndësishme në këtë fazë të kampionatit. Një fitore ndaj Tiranës do të na japë besim dhe do të na ndihmojë të ngjitemi aty ku duam në klasifikim. Por nuk duhet presion i tepërt duhet qetësi dhe disiplinë.
A ndjeni presion si kapiten për të udhëhequr skuadrën në një sfidë të tillë? Presion pozitiv, po. Kur mban shiritin e kapitenit, përgjegjësia është më e madhe, por unë e shoh si privilegj. Jam këtu për t’u dhënë djemve qetësi dhe motivim.
Ku mendoni se do të vendoset ndeshja? Në detaje. Tirana ka cilësi, por edhe ne kemi pikat tona të forta. Kush do të jetë më i përqendruar dhe kush do të bëjë më pak gabime, do ta marrë rezultatin. Lufta në mesfushë do të jetë vendimtare.
Çfarë mesazhi keni për tifozët durrsakë? Të vijnë sa më shumë në stadium dhe të na mbështesin siç dinë ata. Energjia e tyre na jep forcë shtesë. Premtojmë që do të japim maksimumin për ngjyrat e Teutës.
Si është gjendja e skuadrës në aspektin fizik? Jemi mirë. Ka pasur disa lodhje të vogla, normal për këtë periudhë, por grupi është gati dhe me moral të lartë. Personalisht, si e ndjeni veten para kësaj sfide? I motivuar. Jam rritur me ndeshje të tilla dhe gjithmonë i pres me emocion. Dua të jap më të mirën për ekipin dhe për qytetin.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













