Demokracia e munguar në drejtimet e futbollit shqiptar
NGA BESNIK DIZDARI
Nga “Panorama Sport” lexova se FSHF do të thërrasë kryetarët (presidentët) e 10 skuadrave të Kampionatit Kombëtar për të vendosur për skemën e re të stinës 2025-‘26. Mirëpo, çka përfaqësojnë mirëfilli këta 10 njerëz që do të vendosin në një mbledhje se si duhet të jetë Kampionati i Shqipërisë mbas dy viteve të dështuara të tij me të ashtuquajturin “Final four”?

Janë drejtuesit e skuadrave të futbollit, të formës së atij që quhet jo shqip “menaxhim”, shumica madje janë financuesit e tyre, çka i bën fort të respektuar e të rëndësishëm, qoftë dhe për sakrificat që ata bëjnë në një Shqipëri gati përherë në kriza financiare në të gjitha fushat e jetës. Nuk është, pra, vetëm kjo, sigurisht. Por këta 10 njerëz fort të nderuar, nuk mund të jenë ata që vendosin se si duhet të jetë Kampionati i Shqipërisë.
Aq më tepër që për dy vjet me radhë, kjo skemë e “dhurimit” të titullit kampion dhe e përcaktimit të pjesëmarrjeve të skuadrave në Kupat e Europës, me epilogun e vetëm 4 ndeshjeve brenda një jave të vetme, çka flak tej plot një vit garë të 36 javëve të 180 ndeshjeve të tana, provoi dështimin e saj. Është një skemë kjo që nuk e organizon kësisoj absolutisht asnjë shtet i Europës dhe botës. Dhe që dështoi keqas, pra. Nuk mbërriti assesi as fitimet e reklamuara “rrêjshëm” prej biletave të shitura, çka nuk ia arritën të mbushnin as 1/ 4-tën e stadiumeve.
Dhe përveç të tjerave, nuk dha asnjë rritje cilësore të mëtejshme të futbollit kombëtar. Kështu, pra, këta 10 burra që do të na përcaktokan fatin e mënyrës së zhvillimit të Kampionatit të Shqipërisë, janë shumë pak. Edhe pse ndërkaq, më duket se numri i tyre shtohet me atë të 11 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për të mbërritur kështu, te numri 21 i zotërinjve që paskan në zotërim fatin organizativ të zhvillimit të Kampionatit të Shqipërisë.
E prapë, ata janë shumë pak. Nuk harrojmë se e vërteta e organizimeve të tilla, kudo në botën e futbollit, janë po kryesitë e klubeve e të Federatave që vendosin. Por ata vendosin vetëm mbasi para tyre, si të thuash, vendos dikush tjetër. Dhe ky “dikush tjetër” është demokracia më parësore, ose më paraprake e vendimeve dhe ndërmarrjeve të tilla. Lind pyetja: këta sundues të klubeve, a kanë zhvilluar takime, konferenca, biseda me popullin futbolldashës se çka qe për të ky Kampionat që sapo kaluam?
A kanë zhvilluar mbledhje vendore të kryesive që drejtojnë klubet për të analizuar kërkesat dhe dëshirat e futbolldashësve të qytetit, që do të thotë të popullit? Apo shkojnë kryeulë drejt e në mbledhje ngaqë i ka thirrur FSHF-ja, me gjasë se do të marrë mendimin e tyre? A vërtet veprojnë, sillen e drejtojnë, duke mos harruar demokracinë e një shteti demokratik këta 10 burra? E pra, KE i FSHF, jo rrallë, nuk ka treguar se është një “dashamir” i plotë i demokracisë. Për këtë mjafton fakti i zhdukjes nga funksioni i Ligës Kombëtare të Futbollit, ai institucion që e kanë të gjithë shtetet e Europës, institucion i pavarunky (theksoj: “i pavarun”!) i cili pikërisht ai i drejton aktivitetet kombëtare të futbollit në çdo vend.
Dhe dihet qartë se ai është një institucion i formuar simbas parimeve demokratike, me të zgjedhurit e tij përfaqësues nga shumica e klubeve, qyteteve apo dhe krahinave të të gjithë vendit të tyre. Po ndërkohë ne, as KE të FSHF me përbërjet e tij kryesisht kryeqytetase, nuk e kemi përfaqësues hapësinor nga Shqipëria e qyteteve të futbollit. E, Liga Kombëtare dihet, në çdo vend është ajo që drejton e organizon veprimtaritë e futbollit, jo Federata.
Federatat janë mbikëqyrëse të zhvillimit të futbollit në vend dhe kanë “pronë” të tyre drejtuese vetëm ekipet kombëtare. Nuk po zgjatem më tej, sepse shkrimet me këtë temë kanë qenë të pafund. Ma do mendja se nuk gaboj, duke iu kujtuar këtyre 10 burrave vetëm këto 10 dukuri, për fat, të llojit të vërtetë shqiptar:
1. Kampionati Kombëtar me vetëm 10 skuadra tash mbi 10 vjet, nuk i ka dhënë asnjë zhvillim të veçantë futbollit të brendshëm shqiptar. (Shihni ekipet kombëtare që nuk kanë as 10 për qind djem nga futbolli i tokës së Republikës së Shqipërisë).
2. Kampionati me finalet e vetëm 4 ekipeve, duke flakur tej pikët e fituara me aq mundë gjatë një viti garë, të duket si një falsifikim i tanë i vërtetësisë së garës.
3. Kampionati me këtë katërshe të titullit, thuajse u braktis nga spektatorët. (Publikimi saktësisht i numrit të biletave të shitura, do të shndërrohej në një akuzë!).
4. Kampionati i kësaj katërsheje cenoi rëndë asnjanësinë e kahut të ndeshjeve, duke i zhvilluar ato me vetëm 1 takim në fushën kryeqytetase, kur 2 nga 4 skuadrat ishin po kryeqytetase.
5. Kampionati me këtë katërshe të llojit, e vendosur me prepotencë, madje dy vjet rresht, megjithë kritikat e shumta të opinionit publik, atij televiziv, të shtypit e tjerë, të pritura me mospërfillje, tregoi bash për mungesën e demokracisë deri brenda mjedisit të FSHF e të “afërmeve” të nënshtruar të saj.
6. Heshtja e 10 burrave që menaxhojnë skuadrat, tregoi se nënshtrimi i tyre ndaj FSHF-së ishte shembullor, i pangjarë asnjëherë në historinë e drejtimeve të Kampionatit të Shqipërisë. Kësisoj, as në kohët e regjimit të kaluar.
7. Pranimi nga ana e këtyre 10 burrave i mospërfshirjes të talenteve, të të ashtuquajturave Akademi të klubeve në ekipet kombëtare “21”, “19” e deri me kulminacionin e këtillë të “17”- vjeçarëve, gjithashtu tregon se në drejtimet e futbollit në Shqipëri nuk sundon demokracia, por një lloj autarkie, çuditërisht fort e ngjashme me drejtimin politik të vendit.
8. Madje, në thelb, drejtimi jodemokratik i ecurisë së Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, me vetëm 10 skuadra, na kujton në çast se na ka dhuruar këto “bukurina” të pangjashme në gjithë historinë: Ka ndodhur që në 11 vitet e fundit skuadrën e Elbasanit në plot 10 vjet ta kishim në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është); skuadrën e Flamurtarit të Vlorës, plot 5 vjet rresht po në Kategorinë e Dytë; skuadrën e Besës së Kavajës 11 vjet në Kategorinë e Dytë; të Dinamos plot 8 vjet në Kategorinë e Dytë; Tomorin e Beratit, për bukur 13 vjet në Kategorinë e Dytë; Luftëtarin e Gjirokastër plot 5 vjet pa ia nda, po në Kategorinë e Dytë! Nuk po shkoj më tej te skuadrat e Fierit e të Lushnjës të cilat thuajse janë harruar se ku ndodhen. Së bashku, të gjitha këto, përbëjnë e pakta nja 6 qendra ndër më historiket e më tradicionalet e futbollit shqiptar.
9. Dhe heshtja që ka zëvendësuar demokracinë. Nuk bëzan as 10 burrat, të cilët ndikokan për të sendërtuar fatin e sezonit të ri.
10.Dhe shteti, qeveria, ministria, KOKSH, të cilët as nuk duan t’ia dinë se si organizohet e zhvillohet cilësisht sot Kampionatit Kombëtar i Shqipërisë së tyre, nëse vërtet është edhe e tyre. As këta nuk thonë asnjë fjalë se si me tribunat e boshatisura të stadiumeve, Kampionati i Shqipërisë që dikur gëzonte çdo javë aq fort shqiptarët, ka rënë keqas, thuajse i braktisur prej tyre. Mendoj që mbledhja me KE të FSHF dhe 10 burrat që drejtojnë e menaxhojnë klubet e futbollit, ia vlen të anulohet, të shtyhet, e edhe ata të nxitojnë tek demokracia e vërtetë e drejtimit të futbollit – shprehja e parë e së cilës i takon të jetë përgjigja e kësaj pyetje:
“Të dashur shqiptar, a ju pëlqen, a ju tërheq kështu siç është Kampionati i Futbollit të Shqipërisë suaj”? Dhe mbasi të merret kjo përgjigje prej sondazheve, takimeve të shumta, asambleve të klubeve të futbollit, të shkohet me letra të shkruara në duar, e të shpaloset e vërteta demokratike e drejtimit e mendimit të kohës. E vetëm mandej të merret vendimi i shumëpritur. A thua e kemi gabim? Këtë nuk e besojmë. Kriza e Futbollit Shqiptar të Qyteteve e Klubeve – me germa kapitale këto – ka nevojë vetëm për një gjë: zbatimin e demokracisë.
PANORAMASPORT.AL













