Këshilltari Hoxha: Flamurtari peng i një njeriu të vetëm, kujdes me betonin në stadium
Ashpër është shprehur Atird Hoxha, këshilltari i PD-së, i cili i cilësoi fantazmë kompanitë turke, ndërsa u shpreh se këshilli po i plotëson tekat Sinan Idrizit. “Jemi në të njëjtat kushte si vitin e kaluar dhe nuk e kuptoj pse. Nuk ka përfunduar ende dhe nuk kemi bashkëngjitur këtij relacioni një argument se përse nuk ka mbaruar vlerësimi financiar, sa i përket procedurës të nxjerrjes në ankand dhe privatizimit të Flamurtarit.

Për të hequr pastaj nga veshët e qytetarëve vlonjatë gjërat e mëdha që kanë bërë këta që administrojnë Flamurtarin, që ata kanë bërë gjënë më të keqe deri tani, pavarësisht ngjitjes në Superiore. Ne gëzojmë se Flamurtari është ngjitur, kur ndërkohë i takon dhe se ka qenë gjithmonë aty dhe ka fituar majat e kampionatit shqiptar dhe atij Europian. Kanë ndenjur nja 7 vjet në kategoritë inferiore për ‘ibret”#’, pa trajner, pa financa, pa rroga. Kjo kompani ka qenë me borxhe në të Tretën, aty ku hanë futbollistët, ku bëjnë masazhe futbollistët. Apo me demek këto terrenet sportive ku po investohet së fundmi. Ka qenë faqja më e keqe e futbollit dhe traditës sportive vlonjate gjatë administrimit nga këto dy kompanitë e famshme, që për fat të keq edhe nga ana juridike, këtu përpara këtij këshilli vijnë pa anë ligjore. Ne kemi një kërkesë sot nga një person që thotë se është përfaqësues i Flamurtarit.
Këtu unë nuk shikoj këto kompanitë e famshme fantazmë, që kanë vite që qarkullojnë këtu, ‘TRK Group’ dhe ‘Atlas Global’. Ne duhet tani t’i shkojmë sipas avazit këtij zotërisë, që kontrata të jetë pa afat. Unë them se ato probleme aty nuk kanë për t’u mbyllur asnjëherë dhe ky Flamurtar do të vazhdojë të jetë peng i një njeriu. Pse duhet të biem dakord e të votojmë ne, sikur ky njeriu po na shpëtoka ne dhe Këshillin Bashkiak dhe buxhetin prej shumë vitesh. Jo mo zotëri, nëse ky është i pakënaqur të heqë dorë, nuk e detyron njeri këtë që ta mbajë me pahir. Ky është i lirë, që nesër ta dorëzojë Flamurtarin. Mund të ketë kompani të tjera që mund ta financojnë nga jashtë, që të mos rëndojmë buxhetin e bashkisë. Por, jo ne tani të mblidhemi çdo vit dhe në bazë të dëshirës së këtij zotërisë, që ka gjetur edhe 4-5 kolegët tanë të nderuar, që as vetë nuk e kuptoj se si do ta shtyjmë këtë kontratë pa afat, kur të gjithë jemi betuar që do të mbyllej vlerësimi i aksioneve dhe aseteve.

Ne ndodhemi përballë kapriços së një njeriu, që po pengon përfundimin e vlerësimit financiar të kompanisë. Ai ka për ta bllokuar deri në fund, deri sa egoja e tij të dorëzohet dhe të bëhet ky vlerësim dhe bashkia më pas, të krijojë mundësinë për të nxjerrë në ankand asetet. E ai zotëria do të nxjerrë klauzolat e tij të investimeve shumëvjeçare, për ta përfituar këtë terren dhe këtë stadium në favor të kompanive fantazmë që ai përfaqëson. I nderuar kryetar, nëse keni Policinë Bashkiake, IMT, mund të shikoni që në stadium është hedhur beton dhe unë nuk di që betoni të jetë tapet për fushat sportive. Në të dyja pjesët fundore, pas portave është hedhur beton. Ku e gjen të drejtën ky zotëri që betonieret të vijnë dhe të bëjnë betonim të ambienteve sportive. Kush ia ka dhënë këtij të drejtën? Janë dhjetëra metra katrorë beton të hedhura në stadium, pa një leje dhe me bekimin e kujt?! Bëni verifikimin e atyre që unë po them”, përfundon Hoxha.
E.SIKA- PANORAMASPORT.AL













