Kërnaja në dilemë për derbin me Dinamon, ndryshime të detyruara për Partizanin nga sfida ndaj Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2025 | 11:31

Kërnaja në dilemë për derbin me Dinamon, ndryshime të detyruara për Partizanin nga sfida ndaj Egnatias

Partizani luan sot përballë Dinamos në një takim ku trajnerit Oltijon Kërnaja nuk i mungojnë dilemat. Ndaj Flamurtarit u dëmtua Mateo Çipi, që e nisi titullar. Kundër Egnatias, situata me titullarët u përsërit pasi u larguan të dëmtuar Saliu Sembene dhe Arshonzh Bintsuka.

Partizani

Të dy futbollistë që e nisën nga fillimi. Askush prej tyre nuk do të jetë i gatshëm në “Elbasan Arena”. Mungesë e sigurt është edhe Besar Gudjufi, që u ndëshkua me karton të kuq përballë Egnatias. Pavarësisht kësaj, Kërnajës nuk i mungojnë alternativat. Qirko dhe më pas Marku, Preka, Bytyçi dhe Atanaskoski duken të sigurt për të rezistuar sërish nga sulmet e kundërshtarëve.

Vetëm në rastin që Janjeva do të merrte vendin e Bytyçit, pasi nuk ka alternativë tjetër duke qenë se Çipi dhe Sembene janë të dëmtuar. Në mesfushë me shumë gjasa nuk do të ketë ndryshime nga sfida ndaj Egnatias. Kështu do të rreshtoheshin sërish bashkë Ismaili, Hjumen dhe Doumbia.

Dilemat e mëdha janë në repartin e sulmit. Aty mungon Bintsuka dhe Gudjufi. Kështu Xhudah Garsia mund të kthehet titullar, në rast se nuk do të jetë Da Silva apo Toma si surprizë. Kapiteni Skuka dhe Isgandarli e kanë blinduar vendin e tyre në repartin ofensiv, që është pika e dobët e Partizanit. Kërnaja e ndryshoi rreshtimin nga 4-4-2 që preferoi përballë Flamurtarit, në 4-1-4-1 ndaj Egnatias. Interesant do të jetë fakti se si do të vendoset ekipi në fushë për derbin e kryeqytetit.

Screenshot 2025-10-29 112833

PANORAMASPORT.AL