Kërnaja konkurrues, vetëm dy kryesuesit më mirë se ai
Oltijon Kërnaja tashmë numëron pesë ndeshje në krye të Partizanit. Janë tetë pikë të grumbulluara prej tij, brenda një muaji.

Partizani në drejtimin e Kërnajës ka fituar takimet me Flamurtarin dhe Teutën. Në anën tjetër është barazuar ndaj Egnatias dhe Vorës. Sfida e vetme që u humb ishte derbi ndaj Dinamos. Të kuqtë zhgënjyen në stadiumin “Elbasan Arena” duke u mposhtur me rezultatin 2-0.
STATISTIKAT- Kërnaja me 8 pikë ka bërë më mirë në fillim se paraardhësi Milinkoviç, që me një ndeshje më tepër ndërkohë numëronte gjysmën e pikëve. 37-vjeçari debutoi më 19 tetor. Janë katër gola të shënuar dhe po aq të pësuar gjatë kësaj kohe. Statistika që gjithsesi mbeten larg pritshmërive që klubi 17 herë kampion shfaq. Në Superiore gjatë kësaj periudhe kanë bërë më mirë vetëm Elbasani dhe Vllaznia.
Konkretisht dy klubet që kryesojnë me pikë të barabarta Superioren deri tani. Dinamo e Ilir Dajës ka grumbulluar po ashtu 8 pikë në pesë javët e fundit.
Elbasani me 12 pikë dhe Vllaznia me 10 pikë janë ekipet e spikatura. Përpara për Partizanin është ndeshja me Vllazninë. Në rast se arrihet fitorja ndaj kuqebluve, atëherë për Kërnajën do të ishte si mrekulli. Fitorja me përmbysje të çmendur(2-3) në Durrës ndaj Teutës, shton moralin para rivalit më të vështirë.
ZONA E FTOHTË- Dhe pse Kërnaja në aspektin personal nuk mund të konsiderohet keq, situate për Partizanin mbetet delikate. Klubi i kuq akoma mban vendin e tetë, që përkon me “play out”. Milinkoviç u largua ndërkohë duke e lënë ekipin në vendin e parafundit.
Kërnaja është shprehur se Partizani i tij ka merituar më tepër gjatë kësaj kohe, megjithatë mbetet për t’u parë si do të jetë vazhdimësia. Aktualisht është rikuperuar vetëm një pozicion më tepër në renditje, që nga humbja në derbin me Tiranën.
PANORAMASPORT.AL













