Kategoria e dytë, lajme shkrut
Orikumi gjatë kësaj merkato vere ka bërë goditjen e radhës. Pas afrimit të mbrojtësit fierak Rubin Naçi, bregdetarët nënshkruajnë edhe me portierin e talentuar vlonjat, Xheni Muho. Gardiani 19- vjeçar ka qenë pjesë e akademisë së Flamurtarit për disa vite dhe, pas përfundimit të ciklit te moshat, ai ka firmosur një kontratë me Orikumin. Vetë Muho është shprehur mjaft i kënaqur për këtë transferim. “Mendoj se skuadra e Orikumit ishte një zgjedhje e duhur duke ditur objektivat që ka. Shpresoj dhe do punoj fort që të jap më të mirën time”. Vlen për t’u theksuar se skuadra bregdetare ka krijuar një grup mjaft cilësor. Kastriot Brahimaj
ALBPETROLI
Pas prezantimit me trajnerët e rinj A.Kurti dhe I.Mema, skuadra e Albpetrolit zhvilloi stërvitjen e parë në kuadrin e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm. Por, ajo nuk ka shkuar deri në fund për shkak të një breshëri të pazakontë që ra për mbi 40 minuta. Megjithatë, në këtë stërvitje të parë u vunë re se ishte prezente pjesa më e madhe e lojtarëve që mbylli sezonin e kaluar, por kishte dhe disa mungesa. Inspektori i klubit, Petraq Mihali, për këtë problem u shpreh: “Do t’i presim dhe dy-tre ditë dhe, nëse nuk do t’i bashkohen ekipit në stërvitje, atëherë do të shikojmë mundësinë e zëvendësimit nëpërmjet merkatos”. Mario Gjika
DOMOSDOVA
Erald Karriqi merr përsipër i vetëm ekipin e Domosdovës. Pasi para pak ditësh Karriqit iu besua posti i trajnerit, ai ka marrë përsipër drejtimin i vetëm, pa pasur nevojën e një ndihmësi. Tekniku do të tentojë rikthimin në ekip të të gjithë të larguarve, përfshi ata përrenjsakë që aktivizohen në ekipe jashtë, po ashtu edhe ata të ashtuquajturit veteranë që, për shkak të situatës së mjerueshme financiare në këto 4 vitet e fundit, nuk kanë qenë pjesë e skuadrës. Duke bërë bashkë talentet e reja dhe eksperiencën e veteranëve, synohet krijimi i një grupi solid. Trajneri i ri Karriqi beson se skuadra e re do të jetë cilësore. Ledion Qoshku
NAFTËTARI
Në kampin kuçovar, java e dytë e muajit gusht do të jetë fillimi i përgatitjeve për sezonin e ri. Pas një periudhe relativisht të gjatë pushimi, më në fund kuçovarët do të fillojnë përgatitjet për sezonin e ri. Pa dyshim sportdashësit presin me padurim organizimin e ri të skuadrës së tyre, e cila do të konkurrojë në Kategorinë e Dytë. Ndërkaq, stadiumi “Bashkim Sulejmani” është në një gjendje të mirë. Gjatë kësaj periudhe, tek impianti kuçovar ka pasur disa punime të pjesshme, ku veçohet terreni dhe ambientet e stadiumit. Gjithçka është bërë me mundësitë e klubit, teksa në të ardhmen parashikohen investime më të fuqishme. Arben Çepani
SKRAPARI
Skrapari vazhdon përgatitjet për sezonin e ri me kontingjentin që përballoi ndeshjet e kampionatit të kaluar. Duket se nuk do të ketë shumë ndryshime te Skrapari për sa u përket futbollistëve. Stafi teknik shpreson që skuadra me përbërjen aktuale të përballojë me sukses kampionatin e ardhshëm, ku të paktën deri tani objektivi sezonal mbetet i njëjtë. Ashtu si në dy sezonet e fundit për skraparllinjtë ngelet konfirmimi në Kategorinë e Dytë, ku gjithsesi stafi teknik do të kërkojë konsolidimin e skuadrës, e cila ka një përbërje me moshë relativisht të re. Pritet që ekipi të paraqitet më mirë. Arben Çepani
GRAMOZI
Futbollisti më i vjetër i Gramozit, Muarel Lumani, i cili gjatë sezonit të kaluar luajti një rol të rëndësishëm te skuadra kolonjare, duket se ka vendosur përfundimisht që edhe gjatë kampionatit të ardhshëm të jetë kontingjent i skuadrës. Sulmuesi i talentuar i dalë nga vetë shkolla kolonjare, ndryshe nga disa futbollistë të tjerë që dhanë kontributin e tyre gjatë kampionatit të kaluar, ka zgjedhur pas një bisede me drejtuesit e ekipit që të qëndrojë sërish dhe këtë sezon në skuadër. Ai që në ditën e parë ka qenë në krah të trajnerit Rustemi. Vetë Lumani beson se Gramozi këtë sezon do të shfaqet me një fytyrë të re. Koço Lilo
SHËNKOLLI
Skuadra e Shënkollit, e cila militon suksesshëm prej dy sezonesh në Kategorinë e Dytë, do të grumbullohet më 15 gusht. Këtë e bën të ditur për “Panorama Sport” trajneri Alban Bruka. “Kemi menduar që skuadrën ta grumbullojmë më 15 gusht për të nisur fazën përgatitore në kuadër të sezonit të ri. Përvoja dhe eksperienca e suksesshme e këtyre dy viteve na ka hapur oreksin që për sezonin e ri të pretendojmë Kategorinë e Parë. Këtë pretendim nuk e kemi vetëm sa për publicitet, por po punojmë fort për ndërtimin e një skuadre që do ta kryejë këtë mision. Që tani kemi menduar për merkaton e verës, pasi kemi në plane shumë futbollistë cilësorë”. Preng Gjikola
VELEÇIKU
Veleçiku nuk ka nisur ende stërvitjen për sezonin e ri. Drejtori sportiv i skuadrës, Ismet Balaj, bën të ditur se së shpejti do të nisë grumbullimi i ekipit. “Ardhja në krye të Bashkisë së Malë- sisë së Madhe të kryetarit të ri Tonin Marinaj, do të bëjë që të krijohet një skuadër e fortë. Kryebashkiaku po mendon për financa të forta. Për Veleçikun, krahas fondit që do të ketë nga bashkia, po bisedohet për një sponsor të fuqishëm. Më pas, do të thirret ekipi për të nisur stërvitjen. Besoj se në mesin e gushtit, skuadra do të startojë fazën përgatitore”, u shpreh Balaj në prononcimin e tij për gazetën. Esat Ymeri














