Kategoria e Dytë/ Emocione dhe përmbysje në tabelë. Basania “trondit” Luzin, Besëlidhja kryeson Grupin A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2025 | 12:01

Kategoria e Dytë/ Emocione dhe përmbysje në tabelë. Basania “trondit” Luzin, Besëlidhja kryeson Grupin A

Java e tretë e Grupit A në Kategorinë e Dytë dhuroi emocione, surpriza dhe përmbysje që kanë trazuar ndjeshëm renditjen. Në krye ngjitet Besëlidhja e Lezhës, që përfiton nga humbja e Luzit 2008 në Bushat, ndërsa Naftëtari dhe Gramshi gjejnë fitoren e parë në kampionat. Në Shkodër, Shiroka përmbysi Veleçikun në derbin lokal.

beselidhja feston

Basania – Luzi 2008 3-2

Ndeshja më emocionuese e javës u zhvillua në Bushat, ku Basania mori fitoren e parë në kampionat, duke mposhtur kryesuesit e Luzit 2008 me rezultatin 3-2. Skuadra e trajnerit Dervish Haxhiosmanoviç e nisi në mënyrën më të mirë, duke kaluar në avantazh në minutën e 8-të me Nikshiqin me penalltia. Miqtë reaguan dhe Osma barazoi në minutën e 37-të, gjithashtu nga pika e bardhë. Por fundi i pjesës së parë ishte spektakolar për vendasit, Gjini (44’) dhe Hoxhaj (45+1’) shënuan dy herë radhazi, duke dërguar shifrat në 3-1. Në fraksionin e dytë, Luzi rihapi takimin me Grecën në të 56-ën, por humbi dy penallti të tjera, me Peqinin dhe Osmën, ndërsa portieri Harusha u kthye në hero duke i ndalur të dyja. Në fund, rezultati mbeti 3-2 për Basanian, që feston tri pikët e para në sezon, ndërsa Luzi pëson humbjen e pare.

Erzeni – Besëlidhja 0-1

Besëlidhja e trajnerit Elvis Plori ka treguar se këtë sezon është pretendente serioze për ngjitjen në Kategorinë e Parë. Në “Tofik Jashari” të Shijakut, Besëlidhja mori një fitore minimale, por shumë të vlefshme, me golin e Jasmin Raboshtës në minutën e 19-të nga penalltia. Ndeshja ishte e luftuar dhe me raste nga të dyja skuadrat, por fati buzëqeshi miqve, që u treguan më të saktë. Me këtë sukses, lezhjanët ngjiten në krye të renditjes me 7 pikë pas tre javësh, ndërsa Erzeni mbetet në mesin e tabelës.

Naftëtari – Adriatiku 3-0

Pas një fillimi të vakët, Naftëtari më në fund shpërthen dhe merr tri pikë ndaj Adriatikut, duke dhuruar një paraqitje bindëse dhe futboll sulmues përballë tifozëve kuçovarë. Pjesa e parë përfundoi pa gola, por me shumë raste për vendasit. Në pjesën e dytë, loja u zhbllokua në minutën e 48-të nga Lice, i sapofutur në fushë. Më pas, në harkun e vetëm dy minutave,56-58, Godoj dhe kapiteni Pepa realizuan duke vulosur një fitore të pastër 3-0. Një triumf i merituar për djemtë e trajnerit Kapo, që premtojnë një vazhdimësi pozitive.

Shiroka – Veleçiku 3-1

Derbi shkodran solli emocione dhe përmbysje. Veleçiku kaloi i pari në avantazh me Banushajn në minutën e 26-të, por në pjesën e dytë Shiroka reagoi fuqishëm. Vucaj barazoi në minutën e 46-të, ndërsa Ogungbire ishte heroi i takimit me dopietën e tij (52’, 71’), duke i dhënë fitoren e dytë radhazi skuadrës së Shirokës, e cila ngjitet në vendin e dytë në renditje me 6 pikë.

Gramshi – Tërbuni 1-0

Pas dy javësh pa fitore, Gramshi më në fund mori fitoren e parë në kampionat, duke mposhtur Tërbunin me rezultatin minimal 1-0 në “Nexhip Trungu” të Cërrikut, pasi fusha e Gramshit është në rikonstruksion.

Goli i vetëm i ndeshjes u realizua në minutën e 83-të nga Markues, që u tregua i saktë në zonën mike. Kjo fitore i jep frymëmarrje skuadrës gramshiote, që ngjitet në mesin e tabelës me 4 pikë.

Sopoti – Valbona (nuk u zhvilluar)

Kjo ndeshje nuk u zhvillua, pasi Valbona është tërhequr zyrtarisht nga kampionati. Sopoti përfitoi pushim teknik në këtë javë.

 

 

 

Kategoria e Dytë

Grupi A

Java 3/ 18-19 TETOR, ora 14:00

Të shtunën

Naftëtari – Adriatiku 3-0

Lice 48’, Godoj 56’, Pepa 58’

Basania – Luzi 2008 3-2

Nikshiqi 8’(11-m), Gjini 44’, Hoxhaj 45+1’, / Osma 37’, Greca 56’

Erzeni – Besëlidhja 0-1

Raboshta 19’(11-m)

Dje

Shiroka – Veleçiku 3-1

Vucaj 46’, Ogungbire 52’, 71’/ Banushaj 26’

Gramshi – Tërbuni 1-0

Markues 83’

Sopoti – Valbona

(Valbona është tërhequr)

 

RENDITJA

TOTALI

Nr EKIPI        N    P    F    B    H    G+/G-

1 Besëlidhja    3    7    2    1    0    4-1

2 Shiroka      3    6    2    0    1    6-4

3 Luzi 2008     3    6    2    0    1    5-3

4 Sopoti        2    4    1    1    0    4-1

5 Erzeni        3    4    1    1    1    2-2

6 Gramshi       3    4    1    1    1    3-3

7 Veleçiku      3    4    1    1    1    3-4

8 Naftëtari     2    3    1    0    1    3-1

9 Basania 2    3    1    0    1    3-4

10 Tërbuni      3    1    0    1    2    0-4

11 Adriatiku    3    0    0    0    3    0-7

12 Valbona      0    0    0    0    0    0-0

* (Valbona është tërhequr nga kampionati)

 

Java 4, 25 tetor

Adriatiku – Basania

Shiroka – Naftëtari

Besëlidhja – Gramshi

Luzi 2008 – Sopoti

Veleçiku – Tërbuni

Valbona – Erzeni

E.Çinari/ A.Dushku/ E.Spahiu/ M.Miraka- PANORAMASPORT.AL