Kapiteni i tropojanëve sfidon të shkuarën, Mashi: Valbona i ka jetike pikët kundër Vorës
Valbona ka radhën që të presë në shtëpi kryesuesit e Vorës dhe shpresohet që të kenë një rezultat ndryshe nga faza e dytë, ku ndonëse ishin në avantazh të 3 golave, u përmbysën. Ish-kapiteni i Vorës, tani kapiten i Valbonës, Agustin Mashi, në lidhje me këtë takim për “Panorama Sport” u shpreh:

“Me Vorën është një ndeshje e rëndësishme për ne, sepse me një humbje rrezikojmë seriozisht qëndrimin tonë. Unë e kam si një derbi, pasi kam qenë kapiten i Vorës dhe gëzoj respekt për këtë ekip. E dimë potencialin e Vorës, por ne jemi në një pozicion mjaft të vështirë dhe na duhen pikët.
Do të mundohemi të luajmë si në ndeshjen e parë në Tropojë, por duhet të bëjmë shumë kujdes, që të mos përsërisim gabimet e atij takimi dramatik. Nga ne kërkohet përqendrim dhe punë. Grupi është mjaft i mirë dhe kam besim se e përballon me sukses këtë ndeshje. Luftojmë deri në fund me shpresën për të mbijetuar në Kategorinë e Parë”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













