Kapiteni i Bylisit, Abazaj iu lëshon sfidë rivalëve: Do të jemi surprizë në sezonin e ri
Shumë nga lojtarët e Bylisit nuk po qëndrojnë me pushime absolute. Ata po stërviten në fushë, por edhe në palestra apo me programe enkas për këtë periudhë. Marin Abazaj, një ndër ta, flet për këtë periudhë dhe, sipas tij, kampionatin e ri do të ketë surpriza.

“Bylisi do të jetë një hap para në sezonin e ri, sepse ndryshe nga vjet do e ketë më të plotë grupin dhe struktura bazë është me lojtarët që mbyllëm sezonin e shkuar. Madje dua të shtoj se do të jemi edhe një hap parë sepse ndikon ambientimi, por edhe fakti që shumë djem që janë në moshë të re, ‘rriten’ dhe kanë eksperiencën e duhur që të përballojnë garën e sezonit që vjen.
Personalisht po stërviten në mënyrë individuale, por dua të shtoj që edhe pjesa tjetër e shokëve në Shqipëri janë duke u trajnuar në qytetet e tyre, por edhe në kryeqytet me trajnerë privatë. Na vlen shumë kjo gjë, sepse jemi profesionistë dhe duhet që faza të na gjejë sa më gati. Unë kam besim se Bylisi në sezonin e ardhshëm do të jetë në ekipet më të mira të elitës”, tha Marin Abazaj, që do të luajë sezonin e katërt në Ballsh dhe që vjet ka qenë titullar, por ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në pjesën më të madhe të sezonit.
PANORAMASPORT.AL













