Kampionët nuk kalojnë në panik, për Egnatian fitoret vijnë në momentin e duhur
Në çdo kampionat, pavarësisht formës apo rezultateve të para, ekipi që ka ngritur trofeun mbetet gjithmonë skuadra për t’u mundur. Kështu është edhe këtë vit me Egnatian, që hyn në garë me statusin e kampionit në fuqi dhe me barrën e pritshmërive të larta. Çdo kundërshtar e sheh sfidën ndaj rrogozhinasve si ndeshjen e madhe, si testin që mund të tregojë realisht nivelin e tij.

Dhe kjo e bën Egnatian një ekip gjithmonë nën presion, por njëkohësisht edhe me motivim shtesë për të treguar se pse është në krye. Nisja e këtij sezoni nuk ka qenë ndër më të bujshmet. Humbja dhe barazimi në javët e para ngritën pikëpyetje, ndërkohë që fitoret erdhën më pas për të rikthyer qetësinë. Megjithatë, dy sukseset e fundit kanë nxjerrë në pah një Egnatia që ngjan shumë me atë që ka ndërtuar sukseset e dy viteve të fundit: një skuadër e duruar, që di të menaxhojë situatat dhe të reagojë në momentin e duhur. Kjo është ndoshta arma më e fortë e ekipit të Tetovës, fakti që nuk panikoset nga vështirësitë dhe nuk dehet nga fitoret.
START IDENTIK – Bilanci i katër javëve të para është i thjeshtë: dy fitore, një barazim dhe një humbje, për një total prej shtatë pikësh. Në letër mund të duket një nisje mesatare, por për Egnatian ky është një skenar i njohur. Dy sezonet e fundit nisën në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin numër pikësh dhe përfunduan me skuadrën e Rrogozhinës në majë të futbollit shqiptar. Është e pamundur të mos vëresh këtë deja vu, e cila tashmë shihet si një shenjë e mirë në Rrogozhinë. Nuk është rastësi. Në futbollin shqiptar ka pasur shumë ekipe që kanë shpërthyer në javët e para, por më pas janë lodhur dhe janë rrëzuar në fazën e dytë.
Egnatia ka zgjedhur një tjetër rrugë: start i qetë, i kontrolluar, ku barazimet shihen si pikë të vlefshme dhe humbjet si mësime për të ardhmen. Fitoret vijnë në momentet e duhura, ndërsa ritmi rritet gradualisht. Kjo strategji ka funksionuar dy herë me radhë dhe ka gjasa të funksionojë sërish, sepse skuadra duket e ndërtuar për të përballuar presionin e një sezoni të gjatë.
Tre startime identike në tre vite radhazi nuk mund të quhen më rastësi. Përkundrazi, duket se kjo është receta e suksesit në Rrogozhinë: një nisje e qetë, një rrugëtim i sigurt dhe një shpërthim vendimtar në fazën e dytë. Mbetet për t’u parë nëse historia do të përsëritet për të tretën herë radhazi. Por nëse ka një gjë të sigurt, ajo është se Egnatia, pavarësisht pengesave, do të jetë deri në fund skuadra që të gjithë duan ta mposhtin dhe kjo është ndoshta shenja më e qartë e forcës së saj.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













